Qyteti muze, 20 mijë turistë në 8 muaj
BERAT - Statistikat e zyrës turistike në Bashkinë e Beratit tregojnë se në harkun kohor të tetë muajve, qytetin muze të futur në UNESCO e kanë vizituar 20 mijë turistë. Drejtoresha e kësaj zyre, Etleva Dhima u shpreh dje se me futjen e qytetit të Beratit në UNESCO ka pasur një numër të madh turistësh. Krahasuar me një vit më parë, vërehet një rritje rreth 30 për qind më shumë vizitorë. Shumica e tyre janë të huaj nga vende të tilla si Gjermania, Austria, Italia, Suedia, Çekia etj. Pasi kanë vizituar qytetin muze, ata nuk kanë lënë pa parë edhe kanionet e lumit të Osumit si dhe malin e Tomorit. Shumica e turistëve shprehen se kanë mësuar për qytetin e Beratit nëpërmjet internetit, agjencive turistike, materialeve promocionale si dhe guidat e publikuara. Veç bukurive të natyrës dhe shtëpive karakteristike të lagjeve muzeale të Beratit, turistët kanë mbetur të mrekulluar edhe me gatimin tradicional të zonës. d.xh