E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, qëllohen me armë babë e bir

Një ngjarje e rëndë është shënuar natën e mbrëmshme në qytetin e Durrësit, që për pak sa nuk është kthyer në tragjedi. Babë e bir janë qëlluar me armë zjarri, duke i lënë ata të plagosur rëndë, por fatmirësisht sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetën. Sipas të dhënave nga policia e Durrësit mësohet se janë plagosur Albert dhe Ramo Qafa, përkatësisht 48 e 19 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur në hyrje të qytetit, pranë stacionit të trenit, ndërsa sipas informacioneve paraprake 48-vjeçari Albert Qafa kishte dalë me leje nga burgu i Peqinit, ku vuante dënimin për vjedhje prej disa kohësh. Policia e Durrësit ka dhënë detaje për ngjarjen e djeshme, duke theksuar se Albert Qafa është plagosur në dorë, djali i tij ka marrë tre plumba në trup, teksa po udhëtonin me automjetin e tyre me targa AP 629 EC. Ata janë qëlluar me armë zjarri nga një tjetër automjet, nga persona ende të paidentifikuar.

Policia e Durrësit ende nuk ka një pistë të qartë për të shpjeguar arsyet e kësaj ngjarje të rëndë, që për pak do t`u merrte jetën babë e bir. Megjithatë dyshohet se ngjarja është shkaktuar për hakmarrje, ndërkohë policia po vazhdon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të plagosjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›