E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, qëllojnë ndaj orkestrantëve në buzuk, prangosen 2 të dehurit

Policia e Durrësit ka arrestuar dy 37 vjeçarë, të cilët kanë hyrë me forcë në gjendje të dehur në një buzuk në Durrës, dhe kanë qëlluar me pistoletë duke vënë në rrezik jetën e njerëzve brenda lokalit. Sipas policisë, ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së mërkurës rreth orës 23:00,  ku dy personat e arrestuar tashmë, pas grindjes me rojën e buzukut që nuk i linte të hynin, janë futur forcërisht brenda ambienteve, ndërsa kanë filluar të shtijnë me armë në drejtim të orkestrës. Fatmirësisht nga plumbat nuk janë regjistruar të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale. Autorët e ngjarjes së pazakontë janë shtetasit  Skënder Laci, 37 vjeç si dhe bashkëmoshatari i tij, Florian Luca, që të dy banorë të lagjes numë 1 të qytetit të Durrësit. Ndalimi dhe më pas arrestimi i autorëve të ngjarjes  u bë, pasi duke qenë në gjendje të dehur ata kanë dashur të hyjnë në lokalin buzuk në pronësi të shtetasit Fundim Dedja, por nuk janë lejuar nga punonjësi i shërbimit dhe kanë debatuar ashpër me të. Burime nga policia e Durrësit bëjnë të ditur se njëri prej autorëve të ngjarjes, Skënder Laci, pasi ka arritur të futet brenda bashkë me shokun e tij ka nxjerrë menjëherë pistoletën Zastava dhe ka qëlluar me pesë plumba në drejtim të orkestrës. Menjëherë personeli i buzukut ka lajmëruar policinë që ka mbërritur shumë shpejt dhe ka arritur ti kapë brenda në buzuk personat që shkaktuan trazirën, duke u vënë atyre menjëherë prangat pa hasur në rezistencë. Kjo situatë për pak ka provokuar një tragjedi të vërtetë, pasi të shtënat e pistoletës Zastava mund të linin të vdekur disa njerëz sepse autorët e ngjarjes ishin tërësisht të dehur por fati deshi që pjesëtarët e orkestrës por edhe klientët e tjerë të shtrihen barkas apo tu shmangen plumbave duke u fshehur pas kolonave që gjenden brenda në lokal. Ngjarja e rëndë ka terrorizuar jo vetëm pjesëtarët e orkestrës dhe klientët e lokalit por edhe banorët e pallatit që ndodhet sipër buzukut, të cilët janë shqetësuar nga të shtënat në këtë buzuk i cili ndodhet pikërisht përballë gjykatës dhe prokurorisë së Durrësit. Por policia ka vepruar shpejt edhe për faktin se njëra nga patrullat e policisë ka qenë fare pranë kësaj zone në momentin e ngjarjes dhe pasi ka marrë telefonatën nga zyra operative ka mbërritur brenda një minuti në lokal, duke i gjetur agresorët brenda dhe duke i vënë ata menjëherë në pranga pasi i kanë marrë pistoletën nga duart njërit prej tyre. Në cilësinë e provës materiale efektivat e policisë  bllokuan armën e zjarrit  pistolete Zastava me numër 131400SI si dhe 5 gëzhoja. Dy të autorët e ngjarjes u dërguan për në ambientet e Komisariatit të Policisë së Durrësit, nën akuzën e Vrasjes me dashje të mbetur në tentativë kryer në bashkëpunim dhe Mbajtjes pa leje të armëve luftarake.

Last Updated on Friday, 17 April 2009 03:26

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›