E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan: Meta, alternativa e LSI-së më shumë punësim

Në kuadër të turit Koha për veprim kryetari i LSI, Ilir Meta u ndal sot në qytetin e Elbasanit ku prezantoi tre kandidatët për deputetë në qarkun e Elbasanit, Pjerin Xhuvani, Rexhep Bilca si edhe Rezarta Hunci. Në zgjedhje do të dalim  përpara popullit të Elbasanit jo me kandidatë të zgjedhur nga Tirana, por me përfaqësuesit më të mirë të këtij komuniteti, që do të jenë garancia për të ngritur  problemet e Elbasanit dhe do t'i zgjidhin ato në parlamentin e ardhshëm, u shpreh Meta. Pasi përgëzoi punën e bërë nga strukturat e LSI-së në qarkun e Elbasanit, Meta u ndal edhe në platformën e LSI-së, duke deklaruar se: zgjedhjet janë dhe duhet të jenë prona më e shenjtë për qytetarët shqiptarë. Ndaj LSI fton të gjitha forcat politike që të mos preken zgjedhjet e 28 qershorit, sepse Shqipëria është anëtare e NATO dhe e ka për detyrë të garantojë zgjedhje të ndershme e të lira. Në përfundim të fjalës, Meta deklaroi se: jemi të bindur se duke u bashkuar me LSI-në, duke përkrahur alternativën tonë, Elbasani do të ripërtërijë traditat më të mira dhe më të mrekullueshme. LSI ka projektet dhe ligjet e saj dhe është e gatshme të qeverisë që në 28 qershor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›