E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, rihapen magazinat doganore



Qeveria shqiptare është e vendosur të ndihmojë me të gjitha hapësirat ligjore biznesin, që ai të dalë sa më shpejt dhe me pak pasoja nga efektet e krizës globale. Ajo, qysh në vitin 2008, pas një VKM-je, ka vendosur t’i bëjë parapritë krizës ekonomike e financiare, duke hapur sërish magazinat doganore edhe në Durrës. Kjo pa dyshim mbetet një mënyrë efikase, e cila u vjen më së shumti në ndihmë bizneseve, por kryesisht atyre të mëdha. Duket se kriza ekonomike botërore dhe masat paraprake kanë detyruar ekspertët e ekonomisë, të sugjerojnë rihapjen e magazinave doganore për të gjitha llojet e mallrave të importit. Në Durrës, ato gjenden jo vetëm brenda territorit të portit, por edhe jashtë tij. Pas modifikimit të ligjit për funksionimin e magazinave doganore, qeveria ka vendosur të lejojë rihapjen e tyre pas një pauze trevjeçare, pa dyshim ky hap mbetet një ndihmë ndaj biznesit. Në vitin 2005, me përjashtim të magazinave doganore të karburanteve, pothuajse të gjitha të tjerat e mbyllën dhe pronarët e tyre nuk u licencuan nga ana e ministrive përkatëse. Madje, doganat organizuan fushatë për të grumbulluar paratë e subjekteve të cilat kishin deklaruar mallrat e tyre, por që kishin kërkuar afate për shlyerjen e detyrimeve ndaj saj për mungesë të likuiditeteve. Sipas të dhënave statistikore të marra në vitin 2005, rezultonte se nëpërmjet magazinave doganore ushtrohej kontrabandë apo kryhej evazion fiskal, për shkak se subjektet që dispononin magazina doganore, nuk deklaronin të gjithë sasitë e mallrave të magazinuara. Të tilla kanë qenë magazinat e duhan-cigareve, ato të produkteve ushqimore, të materialeve të ndërtimit etj. Por kriza globale ka shtyrë qeverinë të mendojë t’u vijë në ndihmë bizneseve. Në vitin 2008, subjektet e mëdha të biznesit u njoftuar për vendimin e qeverisë, i cili kishte të bënte me liberalizimin e licencimit të magazinave doganore. Bizneset asokohe u njoftuan se nuk do të kishte kurrfarë kufizimi për llojshmërinë e mallrave që do të mund të magazinohen mjafton që të plotësohen kriteret e vëna për sigurimin e licencës. Me marrjen e këtij vendimi qeveria ka gjetur mekanizmin e duhur për të shmangur kontrabandën dhe evazionin fiskal, pasi për të siguruar licencën çdo subjekt i interesuar është i detyruar që të depozitojë një garanci bankare të barabartë me shumën e taksës doganore. Në Doganën e Durrësit shprehen se “ka pasur interes nga ana e subjekteve të fuqishme, të cilat operojnë me portin detar për t’u licencuar në këtë fushë, si kompania “KURUM”, e cila prej vitesh është pronare e kantierit detar, ajo është në proces licencimi edhe për të pasur në pronësi dy magazina doganore brenda territorit të portit”. Po kështu, interes ka për magazina frigoriferike për magazina cigaresh e për lloje të tjera mallrash, të cilat kërkojnë kohë për t’u hedhur në treg. Leverdia për të pasur magazina doganore është e madhe, pasi i krijon lehtësira dhe frymëmarrje bizneseve të cilat nuk janë të detyruara të paguajnë menjëherë në doganë detyrimet e tyre, por u jep kohë atyre që të shesin e të krijojnë kapitalet e nevojshme. Regjimi i magazinave doganore ekonomikisht e ndihmon shumë biznesin, pasi mallrat që hyjnë brenda tyre janë të pezulluara përkohësisht nga pagesa e detyrimeve doganore dhe këto detyrime shlyhen në momentin që mallrat hidhen në treg. Biznesi, duke përdorur magazinat doganore nuk i mban të bllokuara mjetet e tij financiare deri në shitjen e mallit, por i përdor ato për shlyerjen e detyrimeve doganore vetëm në momentin e shitjes së tij. Porti është vënë në ndihmë të doganës, duke vënë në shërbim të magazinave doganore objektet e tij. Duket se ky liberalizim në sektorin e magazinave doganore, ku pa dyshim ndihet edhe ndihma e qeverisë, vjen në një moment të vështirë që kalon biznesi, i cili ndihet i kënaqur me masat e marra.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›