E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mall kontrabandë me autobusët e agjencisë, arrestohen 3 persona



Shfrytëzonin punën e tyre si shoferë të një agjencie transporti udhëtarësh Tiranë-Athinë-Tiranë, për të kaluar mall kontrabandë drejt vendit tonë, duke shmangur detyrimet doganore. Bëhet fjalë për shoferët e agjencisë “Euro-Interlines”, Pëllumb Shelqezi, 36 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Lundër dhe Romeo Karafili, 44 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, të cilët janë arrestuar në flagrancë në kuadër të operacionit policor “Udhëtari”, të realizuar nga specialistët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar dhe forcave policore të Tiranës. Arrestimi i tyre erdhi në kohën kur dy shoferët në vendin e quajtur rruga “Jordan Misja”, në një parkim autobusësh pranë “Nyjës së betonit” po kalonin mallin nga autobusi për tek mjeti tip “Opel Vektra”, me targa greke IHT 4344, i cili drejtohej nga Shkëlqim Sadiku, 36 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, tregtar si subjekt “Shkëlqim Sadiku”, që ishte dhe porositësi i mallit. Sipas burimeve policore, bëhet e ditur se për dy shoferët e agjencisë “Euro-Interlines” kishte informacione se sillnin nga Greqia nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Kakavijë mallra industriale, si pantallona, xhinse, këmisha, jelekë xhinsi, xhaketa të ndryshme, funde dhe bluza të llojeve të ndryshme, të cilat i kalonin të fshehura në autobus, me qëllim shmangien nga detyrimet doganore. Në momentin e kapjes në flagrancë, të akuzuarit po shkarkonin mallrat, të cilat i kishin fshehur në një nga autobusët e linjës së udhëtarëve “Euro Interlines”, me targa TR 7215 L.

Sekuestrimi

Gjatë kontrollit të ushtruar edhe në ambientet e subjekteve tregtare “Kushtrim Abazi” dhe “Shkëlqim Sadiku” që kishin porositur mallin, sipas burimeve zyrtare policore, rezultoi se kishte mallra të pajustifikuara me faturë tatimore, mall i cili u konfiskua në cilësinë e provës materiale. Policia sekuestroi 3.800 pantallona xhinse të markave dhe modeleve luksoze, 450 bluza dhe këmisha të llojeve të ndryshme, 120 funde, 20 xhaketa dhe 122 jelekë xhinsi. Gjithashtu u bllokua autobusi i linjës “Euro Interlines”, me targa TR 7215 L dhe autovetura tip “Opel Vectra”, me targa IHT 4344. Vlera e provave materiale të sekuestruara dhe të konfiskuara arrin vlerën 120 mijë euro. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale të “tregtimit dhe transportit të mallrave kontrabandë”, “kontrabanda me mallra të tjera” dhe “zbatimi i ligjit ndaj personave juridikë”, gjithashtu ka filluar procedimi në gjendje të lirë për veprën penale të “tregtimit të mallrave kontrabandë”, në ngarkim të shtetasit K.A.

Detaj

120 mijë euro ishte vlera e mallit të konfiskuar dje nga Antikrimi Ekonomik, për mallin e kaluar pa doganë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›