E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, rrezikon mbytjen anija turke

Një situatë emergjence është krijuar dje në Portin Detar të Durrësit, si pasojë e dallgëve dhe ngarkesës së keqe të një prej anijeve tregtare të huaja që po hynte në port për shkarkim. Ekipet e shpëtimit dhe mjetet detare të Portit të Durrësit kanë vepruar me shpejtësi, duke shmangur mbytjen e anijes turke me flamur moldav dhe kapërcyer emergjencën e krijuar.

Një operacion i vështirë shpëtimi ka vazhduar për orë të tëra. "Në rast se do të ndodhte mbytja e saj në kanalin e portit, situata do të kishte qenë tejet e rëndë. Jo vetëm për anijen "San-E" dhe ekuipazhin e saj, por edhe për krejt portin, pasi do të shkaktonte bllokimin e hyrje-daljeve nga porti më i madh në vend", deklaruan për gazetën burime të Kapitenerisë portuale. E keqja që u shmang në kohë do t‘i shkaktonte portit më të madh të Shqipërisë humbje të mëdha ekonomiko-financiare, si pasojë e pezullimit të veprimtarive deri në momentin e nxjerrjes së anijes tremijë tonëshe.

Si pasojë e dallgëve dhe një ngarkese të keqe, anija që ishte nisur nga porti turk i Izmirit ka pësuar një zhvendosje të mallit në njërin krah të saj, gjë që e ka rrezikuar seriozisht. Kapiteni i anijes ka dhënë menjëherë sinjalin SOS, duke kërkuar ndihmë për anijen e rënduar në njërin krah. Për orë të tëra është punuar për të larguar rrezikun e mbytjes së anijes, fillimisht në kanalin hyrës të portit dhe më pas në basen, pranë kalatave.

Rimorkiatorët e portit, anije të shërbimit portual të destinuara për ankorim, tërheqje dhe shpëtim, kanë mundur ta fusin anijen e batuar në basen dhe ta ankorojnë mes kalatave 5 dhe 6. Pas kësaj janë tërhequr, pa u larguar shumë, për të qëndruar në pritje të ndonjë ndërhyrjeje tjetër të mundshme.

Anija pas orës 14:00 ka nisur të mbushë ballastrat për të siguruar drejtpeshimin e kërkuar dhe më pas është ndërhyrë në ngarkesën e prishur. Anija ka sjellë nga Turqia një ngarkesë prej 1700 tonësh melaminë (pllaka zdrukthi), që përdoret nga subjektet e prodhimit të mobilieve në vendin tonë. Sipas burimeve doganore, ngarkesa ka ardhur për llogari të subjektit "Mobileri Denisa" me aktivitet prodhues në Shijak të Durrësit.

"San-E" mbërriti dje në mëngjes në Durrës, por ngarkesa e vendosur jo mirë dhe deti i dallgëzuar kanë shkaktuar mënjanimin e saj, ndërsa kryente manovrat për futjen në port. Me gjithë ndërhyrjet e bëra, ka pasur vështirësi në hapjen e hambarëve, pasi kapakët e tyre kanë pësuar deformim nga lëvizja e ngarkesës. Gjithsesi burime nga Kapiteneria bënë të ditur se me t‘u normalizuar situata, do të nisë shkarkimi i ngarkesës së melaminës.

Prishja e kushteve atmosferike në det ka krijuar probleme edhe për një pjesë të mirë të mjeteve lundruese në Durrës. Tragetet kanë shënuar vonesa të theksuara në grafikun e mbërritjes së tyre, ndërkohë që një prej tyre e ka anuluar fare udhëtimin. Tragetet "Grecia" dhe "Aurelia" janë ankoruar me 3-5 orë vonesë, ndërsa trageti "Jonis" i linjës Bari-Durrës e anuloi lundrimin për shkak të dallgëve të Adriatikut. Burime nga Kapiteneria e Portit thanë se në det të hapur situata është më e rënduar. Ndërsa afër brigjeve, deti ka regjistruar një forcë prej 5-6 ballësh, më në thellësi forca ka arritur deri 9 ballë, ndërsa era ka arritur shpejtësinë 20 metra për sekondë. E njëjta situatë sinoptike parashikohet dhe për ditën në vazhdim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›