E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasa, policia gjen dy femra të humbura

Dy nga pesë personat e shpallur të humbur nga policia e Elbasanit, janë kthyer në familjet të tyre dje në orët e para të mëngjesit. Policia e Elbasanit ka bërë të ditur se në bashkëpunim me komisariatet në shumë rrethe të vendit, është bërë i mundur kthimi i dy femrave që tentuan të braktisin bashkëshortët dhe familjet e tyre. Burime zyrtare konfirmojnë se dje rreth orës 04:30 është bërë i mundur rikthimi në familje i shtetases Sheqere Kurti, 25 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, e cila katër ditë më parë ishte larguar në drejtim të paditur. Gruaja ishte denoncuar e humbur nga bashkëshorti dhe policia ka bërë të mundur kapjen e saj në Sarandë, në tentativë për të kaluar ilegalisht në Greqi. Ndërkohë është bërë e mundur edhe gjetja e 20-vjeçares Odeta Tabaku, e denoncuar e humbur nga vëllai i saj. Burimet zyrtare konfirmojnë se 20-vjeçarja është kthyer në familje pas tri ditësh, por nuk jepen hollësi se në ç‘vend është gjetur. Ende enigmë ka mbetur zhdukja e një tregtari 46-vjeçar, i cili është larguar në rrethana ende të paqarta para pesë ditësh. Policia është duke vazhduar punën për gjetjen edhe të dy personave të tjerë, të humbur para një jave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›