Vlorë, deti i trazuar vonon tragetet
Koha e keqe ka ndërprerë punën edhe në Portin Detar të Vlorës dhe nuk ka lejuar të vijnë në këtë port dy tragetet e linjës Brindisi-Vlorë. Sipas autoriteteve portuale dhe të Kapitenerisë së Vlorës, era ka arritur shpejtësinë 25 deri në 30 metër në sekondë. Deti ka arritur 5 ballë në gji dhe 7 deri në 8 ballë në det të hapur. Në këto kushte, dy tragetet nuk kanë mundur të nisen nga Porti i Brindisit për të mbërritur sipas planit në Portin e Vlorës dje në orët e para të mëngjesit. Ndërkohë edhe anijet që ishin duke u përpunuar në kalatat e portit kanë dalë për t‘u ankoruar në radhë, për të shmangur ndonjë përplasje të mundshme.