Zvicra fton kosovarin Albert Bunjaku për Botërorin
Sulmuesi Albert Bunjaku është ftuar në Përfaqësuesen e Zvicrës për Botërorin 2010. Ftesa për të është konfirmuar të enjten nga trajneri i Zvicrës, Otmar Hitcfeld. Sulmuesi gjilanas do të zëvendësojë të dëmtuarin Marko Streler. "Bunjaku mund të luajë si sulmues anësor. Kam vendosur për Albert Bunjakun, pasi që ai mund të luajë në pozita të ndryshme. Natyrisht se nuk është i fortë me kokë sa Marko Streleri, por ai dallohet për shpejtësinë e tij. Bunjaku do të luajë anash, ndërsa Eren Derdiok do të dalë në qendër të sulmit", ka thënë Hitcfeld në konferencën për media të mbajtur të enjten në mesditë. Bunjaku kishte konkurrentë për këtë ftesë sulmuesin 18-vjeçar të Grasshoperit, Nasim Ben Khalifan, por Hitcfeldin më shumë e bindi përvoja e kosovarit sesa talenti i Khalifas. "është një nder i madh për mua që të prezantoj vendin tim në Botërorin 2010", ka thënë Bunjaku.