Bajko "po" Xhanit për stolin
Neptun Bajko ka arritur një akord paraprak me presidentin e të kuqve Albert Xhani. Burime të sigurta pranë trajnerit dhe kreut të klubit bëjnë të ditur që mes tyre është zhvilluar një bisedë rreth rikthimit të teknikut në skuadër. Takimi mes tyre ka ndodhur në mesditë, në një lokal pranë dy kullave, në kryeqytet. Me shumë mundësi Bajko mund të pranojë ofertën që i ka ardhur nga ana e Xhanit. I pyetur para tre ditësh nga "Panorama Sport", vetë tekniku tha se nuk kishte asgjë zyrtare dhe se do ta shqyrtonte si ofertë. Vetë Bajko nuk ka dhënë shumë detaje, duke qenë se nuk është fortë i qartë mbi situatën. Ai nuk ka dashur të japë hollësira, duke thënë se pa zgjidhur fillimisht gjërat mes drejtuesve, nuk mund të merret një vendim konkret. Konkretisht trajneri tha: "Jam takuar me Xhanin, mirëpo ka qenë thjesht një bisedë dhe një kafe miqësore. Jam në dijeni të këtyre lëvizjeve, por asgjë nuk është zyrtare, sepse nuk zgjidhen në këtë mënyrë këto punë. Kam qenë i pranishëm në një takim sot, ku ishte edhe presidenti i skuadrës, Albert Xhani, por nuk mund të them më tepër se kaq". Ky i fundit ka drejtuar për disa vite skuadrën e Partizanit, madje herën e fundit që të kuqtë fituan titullin kampion (sezonin 1986-1987) kishin trajner pikërisht Bajkon.