Besnik Hasi refuzoi të marrë drejtimin e Serkëll Bryzh
Besnik Hasi ka refuzuar ofertën e zyrtarëve të klubit Cercle Bryzhit për të marrë drejtimin e kësaj skuadre. 38-vjeçari ishte zgjidhja e parë e Kryesisë së klubit për të zëvendësuar trajnerin Glen de Bek që dha dorëheqjen javën e kaluar. Menjëherë pas dorëheqjes së tij, drejtuesit e Cercles kanë kontaktuar Hasin. Pas refuzimit të Hasit, Cercle për trajner ka zgjedhur Bob Petersin. Ai është zyrtarizuar të enjten. Kosovari Hasi është ndihmëstrajner i parë në klubin më të madh belg, Anderlehti. "Unë isha kandidati i parë për trajner të Cercles. Drejtuesit e këtij klubi më kanë kontaktuar para katër ditësh. Natyrisht, interesimi i tyre më nderon, por unë kohë më parë kam vazhduar edhe për dy vite kontratën me Anderlehtin. Për këtë arsye kam refuzuar ofertën e tyre. Kundër largimit tim eventual ishin edhe drejtuesit e Anderlehtit", ka thënë Hasi.