E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidente e kartonë, por mbijeton Kastrioti



Leonard Karaj

Kastrioti ka fituar ndaj Lushnjës në ndeshjen play-out duke luajtur edhe sezonin tjetër në Kategorinë Superiore. Vendos goli i Abazajt, shënuar në minutën e 3-të. Por më shumë se rezultati, kjo ndeshja u karakterizua nga loja e ashpër dhe nervozizmi deri në ekstrem. Shumë kartonë të verdhë e të kuq dhe një sherr masiv menjëherë pas vërshëllimës së fundit të arbitrit, Albano Janku. Lojtarët e të dyja skuadrave kanë qëlluar njëri-tjetrin aq sa as ndërhyrja e forcave të policisë nuk pushoi për minuta të tëra sherrin mes tyre. Në skenë kanë dalë edhe stafet teknikë të të dyja skuadrave, të cilat e shndërruan tapetin e blertë të "Qemal Stafës" në një arenë të vërtetë ringu.
Një gol i Abazajt, në të 2-të, atëherë kur skuadrat e tifozeritë nuk ishin nxehur mirë, e ka nderuar Kastriotin. Krutanët, edhe pse kanë vuajtur shumë, në fund kanë mbetur të kënaqur dhe janë përsëri pjesë e kategorisë superiore. Gjithsesi ajo që la për të dëshiruar ishte niveli i futbollit të luajtur, sepse përtej Lushnjës, që pas golit nuk kishte se çfarë të humbiste, krutanët pak kanë treguar se janë skuadër e superiores. Shumë gabime në pasime, asnjë kundërsulm i ndërtuar mirë dhe nga pas, Lika që i ka shpëtuar në shumë momente. Megjithatë të gjitha palët e kanë justifikuar nivelin e lojës me tensionin që mbart ndeshja. Lushnjarët, edhe duke pasur dy sulmues të shpejtë, jo pak kanë kërkuar që të gjejnë pas shpinës së mbrojtjes krutane herë Bubeqin e herë Arbrin. Me organizimin e Bizhytit dhe të Koreshit, por dhe lëvizshmërinë e kapitenit çela, teksa zonat e veprimit hapeshin për Arbërin e Bubeqin, lushnjarët e vënë në vështirësi Kastriotin. Rreziku kryesor për krutanët ka një emër, që është Gentian çela, i cili e ka detyruar Likën që t'i përvishet një pune të madhe. Dhe portieri i kombëtares dje ka treguar se ishte deçiziv për Kastriotin, duke e nderuar në më të shumtën e rasteve. Në pjesën e dytë, lushnjarët, edhe duke e rifreskuar skuadrën, janë përpjekur që t'i afrohen portës krutane, por janë të pasaktë në gjuajtje. Në krahun tjetër, përveç ndonjë faulli të marrë, Babiç, edhe kur iu krijua mundësia, nuk arriti të rrezikonte portën krutane. Përfundimisht goli i Abazaj ka vlejtur sa një sezon i tërë, teksa Kastrioti është në kategorinë superiore e Lushnja në të parën.

Kastrioti-Lushnja 1-0

Shënues: Abazaj 2'
Kartonë të verdhë: Gocaj, Jusufi, Turdiu, Kalari/Sulo, Bubeqi, çela, Sula
Kartonë të kuq: Kalari/çela
Gjyqtarë: A.Janku, D.Rexha, E.Biçaku (Tiranë)

Kastrioti: Lika, Shameti, Djarmati, Gocaj, Hoxha, Buden, Arifaj, Pema (Babiç 67'), Abazaj (Teqja 86'), Jusufi (Kalari 53'), Turdiu Trajner: R.Ndreu

Lushnja: Spaho, Dhima (Dervishi 67'), Prela, Mërtiri, Sulo (Sula 76'), Bubeqi, Arbri, Topi (Pepa 54'), Bizhyti, çela, Koreshi Trajner: A.Bano

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›