Të verbrit kërkojnë fshehtësi vote, akuzojnë KQZ për fletën e veçantë
Rreth 9500 të verbër mund të bojkotojnë procesin zgjedhor në 28 qershor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nuk ka marrë përsipër tu realizojë të verbërve fletët e posaçme të votimit, sipas sistemit brajler, gjë e cila parashikohet në kodin e ri zgjedhor. Shoqata e të Verbërve ka reaguar ditën e djeshme në shenjë proteste ndaj vendimit më të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas të cilit të verbrit do të kenë në dispozicion gjatë procesit të 28 qershorit, fletën e zakonshme të votimit, si për gjithë qytetarët e zakonshëm dhe jo ndonjë të veçantë, posaçërisht për ta.
Kryetari i Shoqatës së të verbërve, Sinan Tafaj u shpreh përpara mediave se nuk mund ti drejtohen kutive të votimit nën shoqërinë e njerëzve të tjerë, duke humbur fshehtësinë e votës. KQZ nuk na ka vënë në dispozicion fletë votimi të veçanta. Vota jonë mund të manipulohet. Çështja është që votimi me persona të tjerë i bën të verbërit të varur nga të tjerët, kushdo qoftë dhe e bën atë të riskuar në realizimin e bindjeve dhe interesave të veta, veçoi Tafaj. Duket se një vendim i tillë i ka indinjuar të verbrit, të cilët kanë pohuar se me anë të tij ekziston rreziku i manipulimit të votës së tyre, pasi ata nuk janë në gjendje të shohin se për kë do të votojnë në zgjedhje. Sipas të dhënave nga Shoqata e të Verbërve janë plot 9500 persona të cilët gëzojnë këtë status dhe që sipas saj, nuk janë në gjendjen e duhur shëndetësore që të votojnë si të tjerët. Kemi siguruar 10 mijë euro të tjera nga donatorët. Iu drejtuam KQZ-së, që të bënte të mundur fletat e posaçme të votimit, por për fat të keq morëm përgjigje negative nga KQZ-ja, se nuk ka pasur mundësi financimi dhe se të verbrit mund të votojnë në prani të një personi tjetër, u shpreh Sinan Tafaj, presidenti i Shoqatës. Tafaj shpreh shqetësimin se të verbërve po u mohohet një e drejtë kushtetuese për të votuar në mënyrë të fshehtë pa praninë e personave të tjerë. Në këto kushte theksoi Tafaj të verbrit do të detyrohen të braktisin procesin zgjedhor. Braktisjen e zgjedhjeve ne nuk e kemi me dëshirë pasi jemi qytetarë të përgjegjshëm, duam të shprehim vullnetin tonë dhe duam të kontribuojmë në procesin e zhvillimit të vendit, deklaroi kryetari i shoqatës së të Verbërve. Fleta e ardhshme e votimit do të ketë ngjyrë të verdhë të lehtë dhe përmasat sa një letër A3, si dhe një ngjyrë unike për të 12 zonat zgjedhore, të qarqeve ku do të votohet më 28 qershor. Përmasat e fletës së votimit do të jenë, gjerësia 300 mm dhe gjatësia 400 mm, aq sa zakonisht fletët votimit. Kjo pritet të jetë fleta e votimit më e madhja që mund të jetë përdorur në ndonjë proces votimi. Për herë të parë në krah të emrit të subjektit politik, në krahun e majtë, do të vendoset edhe logoja e partisë. Pas emrit të partisë politike, në krahun e djathtë të saj do të shkruhet emri i plotë kryetarit dhe më pas sigla me iniciale kapitale të subjektit politik. Shënimi që do të bëjë zgjedhësi gjatë votimit do të jetë në krah të djathtë, në një kuti të vogël me ngjyrë të bardhë.