E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turizmi kulturor, mblidhet në Durrës Asambleja e rajoneve të Evropës

Durrësi është bërë qendër e Asamblesë së rajoneve të Evropës (AER), e cila ka organizuar në bashkëpunim me Këshillin e këtij qarku Seminarin për Sipërmarrjet në fushën e turizmit kulturor. Anëtarë të AER, specialistë të fushës së turizmit nga vende të ndryshme si Norvegjia, Finlanda, Franca, Austria, Polonia, Suedia, Britania  e Madhe, etj. së bashku me përfaqësues nga qarqe të ndryshme të vendit tonë po diskutojnë mbi rrugët për bashkëpunimin e integruar në turizëm. Kryetari i këshillit të qarkut, Seit Kërtusha, pasi nënvizoi rëndësinë e këtij seminari dy-ditor, i pari që organizohet nga AER në vendin tonë tha se rajoni i Durrësit ka përfituar nga bashkëpunimi me vendet anëtare të AER në fushat e kualifikimit të administratës publike, përgatitjes së paketave turistike, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, etj. Duke përshëndetur në emër të qeverisë Shqiptare znj. Zana Turku, zëvendësministre e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve vlerësoi potencialet e qarkut të Durrësit, I cili ka një vijë bregdetare prej 62 km dhe mundësi të shumta për turizmin shumëplanësh. Ajo shtoi se gjatë vitit të kaluar në vendin tonë kanë mbërritur më shumë se 2.5 milion vizitorë, jo vetëm nga vendet e rajonit, por edhe nga shtete evropiane, nga SHBA, etj. Znj. Turku nënvizoi prioritetet e qeverisë Shqiptare e cila ka përcaktuar 10 zona të zhvillimit turistik nga Butrinti deri në Alpet e Shqipërisë. Gjatë dy ditëve të këtij seminari që po zhvillohet në mjediseve e hotel Adriatikut do të trajtohen tema mbi nxitjen e sipërmarrjes në turizmin kulturor si dhe do të zhvillohen takimet e nën-Komiteteve të AER për kooperimin ndërkombëtar dhe ndër-rajonal, për Arsimin e Trajnimin si dhe ajo e grupit të punës për Kulturën e Shëndetit. Nisma e AER për Turizmin Kulturor nisi një vit më parë, me anë të një seminari që ilustronte se si rajonet, nëpërmjet ruajtjes se trashëgimisë së tyre kulturore mund të forcojnë identitetet lokale, të promovojnë turizmin dhe rritjen ekonomike. Këshilli i Qarkut të Durrësit është anëtar me të drejta të plota në Asamblenë e Rajoneve Evropiane. Iniciativa e AER për Turizmin Kulturor nisi në maj 2008 me një seminar prezantues që ilustronte se si rajonet, nëpërmjet ruajtjes së trashëgimisë së tyre kulturore, mund të forcojnë identitetet lokale, promovojnë turizmin dhe rritjen ekonomike. Rëndësia e sipërmarrjeve lokale në dhënien formë të profilit të turizmit kulturor për rajonet e ndryshme bëhet akoma më i qartë duke analizuar shembujt e rajoneve të suksesshme.

Last Updated on Thursday, 02 April 2009 22:04

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›