E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, shkarkohen zyrtarët e arrestuar

Shkarkohen të arrestuarit, ndërsa hetimet përfshijnë dhe një zyrtar të lartë të Bashkisë së Durrësit. Burime nga grupi hetimor i dosjes "Batica" kanë deklaruar për gazetën se hetimet po zgjerohen edhe në emra të tjerë, por nevojitet sigurimi i provave për të ngritur akuza konkrete mbi ta. Prangosja për herë të dytë e shefit të policisë bashkiake dhe vartësit të tij, duke përfshirë këtë herë dhe emra të tjerë zyrtarësh bashkiakë, ka lënë një shije të keqe në qytet, veçanërisht në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe rolit që ka marrë "de facto" në Partinë Socialiste kryetari i bashkisë, Vangjush Dako. Ai ka nxituar dje në mesditë të shkarkojë zyrtarët e arrestuar të bashkisë dhe t‘i zëvendësojë ata me persona të tjerë, duke dashur të dëshmojë se i intereson të përfaqësojë me dinjitet qytetarët që e zgjodhën në postin e lartë. I pyetur nëse një prej drejtuesve aktualë të bashkisë dhe pikërisht njëri prej nënkryetarëve të këtij institucioni vendor, Ardi Çela, është nën hetim, kryebashkiaku Dako u shfaq i habitur dhe deklaroi se nuk ishte në dijeni të një hetimi ndaj numrit dy të bashkisë. Ndërkohë, burime nga grupi hetimor pohojnë se tashmë hetimet janë shtrirë deri në nivelet më të larta të drejtimit në Bashkinë e Durrësit. Gjatë një konference për shtyp, kryebashkiaku ka bërë publikë dhe zyrtarët e rinj që janë emëruar në vendet e mbetura bosh. Kështu, në postin e Rexhep Bulkut u emërua Adriatik Velja, ndërsa në vendin bosh të administratorit të njësisë administrative nr.4 një tjetër Luan. Në detyrat e kryetarit dhe inspektorit të kësaj njësie u emëruan Luan Zeqaj dhe Suzana Disha, ndërkohë që Denis Omeri u emërua në policinë bashkiake në vend të të arrestuarit Bashkim Maloku. Në deklaratën e tij, kreu i bashkisë ka shprehur vullnet të plotë në luftën kundër korrupsionit dhe kërkoi nga drejtësia zbardhjen e fakteve dhe dënimin maksimal të ish-vartësve të tij, nëse ndaj tyre vërtetohet fajësia. "Bashkia Durrës është institucioni ku asnjëherë, për asnjë arsye, apo sekondë të vetme, korrupsioni, praktikat korruptive dhe ushtruesit e tyre nuk do të gjejnë tolerancë", tha Dako, duke shtuar se cilido qoftë vendimi i drejtësisë, katër të shkarkuarit nuk do kenë më vend në Bashkinë e Durrësit, pasi nuk u duhen bashkëpunëtorë të pafajshëm, por bashkëpunëtorë të paatakueshëm në integritet dhe punë.

Emërimet e reja erdhën pas arrestimit të dy ditëve më parë të shefit të policisë bashkiake Durrës, Rexhep Bulku, policit bashkiak Bashkim Maloku, administratorit të njësisë administrative nr.4 Luan Shaba, dhe inspektorit të zonës së Spitallës, Lutfi Sh.Dervishi. Të katër këta persona akuzohen për mitëmarrje, sepse u kanë kërkuar qytetarëve para në këmbim të ndereve e favoreve për të mos ekzekutuar vendimet për prishje objektesh të paligjshme, apo mosmbylljen e aktiviteteve pa licencë, në kundërshtim me ligjet. Shtetas të ndryshëm kanë dhënë deklarimet e tyre në lidhje me këtë fenomen, si dhe kanë denoncuar Fetah Matajn që kryente rolin e sekserit ndërmjet zyrtarëve të pushtetit vendor dhe qytetarëve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›