E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, shkarkohet anija me 490 ton dinamit

Dinamiti erdhi për llogari të firmës "Bechtel Elka", që ndërton autostradën Durrës-Kukës

Durrës-Në kushte të rrepta sigurie, nën mbikëqyrje të plotë policore dhe të forcave zjarrfikëse, është shkarkuar dje në portin e Durrësit një sasi e madhe dinamiti. Ngarkesa me lëndë plasëse, gjithsej 490 ton dinamit, e destinuar për përdorim civil, për llogari të firmës "Bechtel Elka" që po ndërton rrugën Durrës-Kukës është transportuar drejt portit të Durrësit me anijen me flamur turk "Dogu Haslaman".

Mbërritja

Anija e nisur nga porti i Izmirit është ankoruar në portin e Durrësit rreth orës 04.00 të mëngjesit të djeshëm. Ndërkohë që për mbërritjen e saj ishin marrë me kohë masat për vetë ngarkesën e veçantë që pritej në port. Kjo, pasi në hambarët e anijesndodheshin rreth 490 ton dinamit, që duhej shkarkuar në kushte të plota sigurie.Burime portuale bënë të ditur dje se ngarkesa plasëse është porositur në Turqi nga firma "Nitromak". «Kjo firmë është nënkontraktore e kompanisë "Bechtel Elka", që po ndërton rrugën Durrës-Kukës»- bënë të ditur dje burimet zyrtare të portit gjatë shkarkimit të ngarkesës. Sipas tyre, lënda plasëse është pjesë e procesit të punës të firmës, për hapjen e rrugës Durrës-Kukës dhe tuneleve malore. Në port bëjnë të ditur se që nga koha e nisjes së ndërtimit të kësaj rruge, anija turke ka qenë e pranishme në portin e Durrësit edhe herë të tjera për të njëjtën procedurë pune. Duke respektuar sigurinë, mësohet se lënda plasëse porositet dhe transportohet veç dhe kapsollat, të cilat shërbejnë për plasjen e saj transportohen veç.

Siguria

Anijes me dinamit i ishte lënë hapësira e nevojshme në kalatën numër 5 të portit të Durrësit. Gjithçka është përgatitur që më parë, vendi është monitoruar gjatë gjithë kohës dhe që nga mbërritja e deri në punën për shkarkimin e ngarkesës kanë qenë të pranishëm forca të policisë, zjarrfikëse dhe shërbimit ruajtës të portit. Sipas burimeve portuale mësohet se destinacioni i ngarkesës ka qenë fshati Borizanë i Krujës, ku dhe janë të vendosura depot e firmës Bechtel. Që nga zbrazja e tyre nga hambari i anijes, një nga një e deri në ngarkimin nëpër kamionë puna është bërë e mbikëqyrur për të shmangur çdo të papritur. Pas kësaj, kamionët e tonazhit të rëndë të ngarkuar janë gjithashtu të shoqëruar deri në mbërritjen në destinacion, për të qenë të sigurt edhe gjatë rrugës deri në fshatin ku ndodhen depot e firmës ndërtuese. Burimet portuale kanë sqaruar dje se ngarkesa është shoqëruar me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe lejet përkatëse nga strukturat shtetërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›