E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strehimi, kriteret e përzgjedhjes për 45 familje

ELBASAN-Ligji i ri për të përfituar strehim ka bërë që Bashkia Elbasan të bëjë edhe publike kriteret e përzgjedhjes të 45 familjeve, në 2 mijë kërkesa për strehim. Komisioni i Strehimit pranë bashkisë Elbasan ka deklaruar se kriteri bazë për të përfituar strehim është paga mujore nga 22 mijë lekë të reja deri në 28 mijë lekë të reja. Në këtë skemë ku pritet të përfitojnë disa kategori janë përcaktuar edhe pikët që përfiton çdo kategori sociale dhe vlerësimin përkatës. Nga këto kritere do të përcaktohen edhe familjet që do të përfitojnë shtëpi në pallatin e ndërtuar një vit më parë në lagjen "5 Maj" të qytetit të Elbasanit. Këto apartamente janë ndërtuar me fondet e buxhetit të shtetit të destinuara për familjet e pastreha, por për shkak të ligjit dhe të kritereve të vendosura tashmë për shpërndarjen e tyre Komisioni i Strehimit pranë Këshillit Bashkiak të qytetit është detyruar që të anashkalojë kategoritë dhe sidomos gjendjen e tyre sociale, në rast se nuk plotësojnë pagën minimale të vendosur. Po kështu pas plotësimit të dokumentacionit do të ketë edhe një fazë verifikimi nga ana e komisionerëve. Ata do të duhet ta miratojnë me shumicë votash çdo familje që do të kalojë në skemën e përfitimit. Në kriteret janë përcaktuar kategoritë që përfitojnë dhe pikët që ata marrin që do të bëjnë edhe diferencën për renditjen e tyre në listën përfundimtare. Aktualisht në zyrën e strehimit janë regjistruar 2 mijë familje si të pastreha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›