E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau gruan, ekstradohet nga Greqia i dënuari

Fier-Dy fierakë janë ekstraduar dje nga Greqia për të vuajtur dënimin për veprat penale të kryera. Ka qenë një bashkëpunim i drejtorisë së policisë së Fierit me Zyrën e Interpolit në Tiranë, që në sajë të informacioneve të shkëmbyera mes tyre kanë bërë të mundur kapjen dhe sjelljen e të dënuarve në Shqipëri. Sipas policisë së Fierit, të ekstraduarit janë Kastriot Rrokaj, 34-vjeç, dhe Manol Dyle, 43-vjeç. I pari, banues në fshatin Varibopë të komunës Cakran, është dënuar nga gjykata e shkallës së parë të Fierit për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit. Pasi janë gjetur provat në ngarkim të tij është dënuar në vitin 2004 me 11 vjet burgim. Mësohet se ai ka shfrytëzuar një shtetase në vitin 1998-1999 në Greqi dhe Itali për qëllime përfitimi. Ndërsa tjetri me banim në Roskovec është dënuar me 20 vjet burg për vrasje. Gjykata e Apelit e ka dënuar në vitin 1995, pasi një vit më parë ai vrau bashkëshorten e tij për motive të dobëta. Fill pas ngjarjes ai u arrestua, por përfitoi nga problemet në vitin 1997, kohë kur mundi të arratisej nga vendi i dënimit, në burgun e Lushnjes. Që nga ajo kohë ka qëndruar në arrati, por tashmë do të vijojë vuajtjen e dënimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›