E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshen-Kalimash: Punëtorët, helmuam nga filetot e pulave

MIRDITË- Helmimi nga ushqimi i konsumuar gjatë drekës ka sjellë dje përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë në kampin e punëtorëve në Reps, ku punohet përautostradën Rrëshen-Kalimash. Mësohet se numri i punëtorëve turq e shqiptarë të intoksikuar nga ushqimi ka qenë më shumë se 100, ndonëse për këtë edhe dje nuk ka pasur asnjë njoftim apo sqarim nga drejtuesit e atjeshëm. Qartësisht dihet se intoksikimi ka ardhur si pasojë e skadencës së ushqimit që punëtorët kanë konsumuar në vaktin e drekës. Pas të cilës të gjithë më radhë kanë shfaqur shenjat e helmimit, diarre të forta dhe të vjella të vazhdueshme. Mjekimi është bërë në kushtet e fshehtësisë së plotë, pasi punëtorët janë mjekuar brenda kampingut.

***

Dje në këtë kamping mbërritën për të inspektuar situatën përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe drejtoria e higjienës. Mësohet se ata kanë marrë kontakt me drejtuesit e Bechtelit, për të marrë informacionin lidhur me atë që kishte ndodhur.Asnjë nga gazetarët, kamerat apo mjete të tjera informimi nuk janë lejuar të hyjnë brenda për të mësuar realisht për ngjarjen, ashtu si dhe vetë drejtuesit nuk kanë preferuar të komunikojnë me shtypin. Edhe pse gazetarët kanë qëndruar për orë të tëra pas hyrjes së përfaqësuesve shtetërorë, nga pala turke nuk është lejuar futja e medias, por dhe autoritetet qeveritare nuk kanë dhënë ndonjë prononcim. Mësohet se nga kjo situatë nuk është dalë ende, pasi dhjetëra punonjës ndjehen të pasigurtë nga ushqimet që gatuhen në këtë kamp.

***

Punëtorët thonë se nuk janë të qartë nëse dhe vetë kuzhinierët e atyshëm janë me libreza shëndetësore. "Nuk dimë se si janë bërë përzgjedhjet për kuzhinierët dhe në çfarë kushtesh gatuhet në këtë mensë masive",- thonë punëtorët, por tepër të rezervuar kur vjen fjala tek identifikimi. Punëtorët e helmuar kanë frikë të prononcohen me emra, pasi do të përjashtoheshin menjëherë nga puna. "Dyshojmë se helmimin e kemi marrë nga fileto e pulës, që kishim për drekë, krahas çorbës në formë supe, pure patate etj, ushqim që jepet falas në përmbajtje të kontratës së punës",- thonë punëtorët.

Disa punëtorë të kontaktuar thanë se ditën e helmimit skena masive shiheshin në radhë nga më se 50 veta para banjave të kampit. Ndërsa ilaçet janë marrë nga Tirana apo në farmacitë e Rrëshenit.

***

Njëri nga farmacistët në qytet, i pyetur për ngjarjen tha se u tërhoqën mbi 100 pako trisoli. "Më bëri përshtypje pasi sasi të tilla tërhiqen vetëm kur ka helmime masive"- thotë ai. Nga vetë punëtorët mësohet se në këtë kamp nuk ka një sistem të përcaktuar shërbimi shëndetësor, mjekët vijnë me shërbime dhjetë ditëshe nga spitalet e Tiranës dhe nuk ka një mjek stabël, i cili nga pala turke kërkohet të ketë licencë. Por problemi mbetet enigmë edhe për sa i përket mënyrës sesi furnizohet ky kamping me shumë punëtorë, pasi disa punëtorë u shprehën se kanë qenë të qetë dhe të sigurtë kur këto furnizime i kryente një firmë shqiptare që kishte fituar tenderin. Që nga ajo kohë, nuk ka konfirmim të saktë se kush e bën këtë furnizim apo nëse mbulohet nga vetë prapavija e kompanisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›