E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci i ndotur, rrezikohen sëmundje kancerogjene

Tokë e helmuar nga baruti dhe metalet e rënda, e cila rrezikon të shkaktojë sëmundje kancerogjene dhe mutagjene mbi bimë e njerëz. Këto janë pasojat e rënda që do të ndodhin në Gërdec nëse zona nuk pastrohet. Kështu ambientalistët kanë dhënë alarmin që shtëpitë në këtë zonë të mos ndërtohen pasi toka është e tjendotur me elementë kimikë dhe metale të rënda, për shkak të shpërthimit të mijërave ton predha në tragjedinë e 15 marsit në Gërdec. Sipas ambientalistit Sazan Guri, qeveria duhet të iniciojë një studim emergjent në këtë zonë, për të vlerësuar nivelin e ndotjes dhe masat që duhen marrë në këtë zonë.

Ndotja dhe pasojat

Toka e Gërdecit është e tejndotur nga elementët kimikë dhe toksikë ndaj shtëpitë e dëmtuara të banorëve duhet të ndërtohen pasi të pastrohet zona. Kështu u shpreh ambientalisti Sazan Guri, sipas të cilit, shpërthimi i mijërave ton predha ka shpërndarë në tokë mbetje kimike dhe metale të rënda, të cilat rrezikojnë sëmundje kancerogjene dhe mutagjene në bimë e njerëz. "U shpërthyen mbi 3 mijë ton predha e barut, të cilat kanë sjellë një ndotje të madhe",- thotë ambientalisti Sazan Guri duke shpjeguar se baruti përbëhet nga 11 për qind squfur dhe 22 për qind grafit, që është një lëndë shumë e rrezikshme për shëndetin. Ndërkohë ai pohon se ekziston shqetësimi për 0.5 për qind squfur nga ndotja e karburanteve nga makinat çdo ditë dhe se ndotja në këtë zonë nga ky element e ka kaluar çdo limit. "I gjithë ai tym i zi, që detyrimisht përmban blozë, grimca dhe metale të rënda janë pjesë e predhës të metalit të rëndë si plumbi, zinku dhe bakri, pasojat e të cilave dihen mbi shëndetin",- pohon Sazan Guri. Ndërkohë ai thekson pasojat shtohen edhe për faktin se vetë predha përmban lëndë helmuese, për shkak të lagështirës që ka rënë në formë precipitati në zonën e Gërdecit.

Masat për ndotjen

Qeveria duhet të iniciojë një studim ambientalist në zonën e Gërdecit, që tashmë për ekspertët e mjedisit etiketohet si hot-spot. Vetëm pas këtij vlerësimi dhe më pas pastrimit të zonës mund të ndërtohen shtëpitë e dëmtuara. Në këtë mënyrë do të shmangen pasoja tepër të rënda për shëndetin e banorëve të Gërdecit, të cilët pas humbjes së të afërmve dhe shtëpive të tyre rrezikojnë seriozisht shëndetin. Këtë e kanë theksuar vetë ambientalistët, sipas të cilëve, nuk duhet neglizhuar në këtë drejtim. "Shpërthimi i mijërave ton predha ka sjellë ndotje tepër të lartë të tokës, ndaj nuk duhet neglizhuar",- ka pohuar Sazan Guri. Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik para disa ditësh kreu analizat e tokës në këtë zonë dhe deklaroi se nuk ka ndotje të tokës. Por ky studim i cili nuk është bërë publik, sipas ekspertëve ambientalistë, bie në kundërshtim me ligjet e Fizikës dhe Kimisë.

3 mijë ton predha e barut kanë shpërthyer në Gërdec, sipas ambientalistëve

11 për qind squfur përmban plumbi, i cili rrezikon seriozisht shëndetin

Xhuveli: Pranë kraterit, toka e ndotur

Toka e Gërdecit është e ndotur nga elementet kimikë pas shpërthimit të tmerrshëm që ndodhi më 15 mars. Në këtë përfundim ka arritur edhe Ministria e Mjedisit pasi kreu i këtij dikasteri, Lufter Xhuveli ka pohuar dje se ndotja është evidente. Sipas tij, pasi janë analizuar 6 tregues të ndotjes me matje dixhitale, ka rezultuar se toka pranë kraterit është e ndotur. Gjithashtu bëhet e ditur se uji i puseve nuk duhet të përdoret për ujë të pijshëm por vetëm për nevoja familjare, pasi edhe ai është i ndotur nga elementet kimikë. Në këtë mënyrë banorëve të Gërdecit nuk u mbetet gjë tjetër por të vuajnë jo vetëm humbjet e jetëve të të afërmve dhe dëmet materiale, por edhe tejndotjen nga elementet kimikë për shkak të shpërthimit të mijërave ton predha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›