Durrës, shoferi i autobusit kërcënon arsimtarët: "Do tju shtyp kokën"
>Një ngjarje e pa precedent dhe tepër e çuditshme ka ndodhur në qytetin e Durrësit, ku një shofer autobusi ka kërcënuar arsimtarët që transportonte me mjetin e tij. Drejtoria Arsimore e Durrësit kishte prenotuar një autobus të linjës Ishëm-Durrës, për një grup mësuesish, të cilët si destinacion kishin qytetin e Durrësit. Por vetëm pak metra përpara se të mbërrinin në Durrës, grupi i mësuesve është ndeshur më kërcënimin e shoferit të autobusit, shtetasi Bilal Kërkusha, 51 vjeç, i cili ka nisur ti kërcënojë duke u thënë: Ju që jeni ankuar për mua nuk do të hipni më në autobusin tim. Do tju shtyp kokën.
Më tej, ai ka vazhduar me ofendime të tjera ndaj arsimtarëve. Në fillim mësuesit kanë shtangur, pasi nuk po e kuptonin se ç po ndodhte dhe se çfarë e shtynte këtë shofer autobusi ti kërcënonte, por më pas, të gjendur përballë kësaj situatë mësuesit janë përgjigjur dhe i kanë kërkuar shoferit të ndalë autobusin menjëherë, në rast të kundërt ata do të njoftonin policinë. 51- vjeçari, mesa duket është trembur nga kërkesa e mësuesve dhe pa vazhduar më me kërcënime ka ndalur autobusin fare pranë Durrësit. Më pas katër mësuesit që ndodheshin në autobus kanë zbritur dhe menjëherë kanë shkuar në Komisariatin e Policisë së Durrësit, ku dhe kanë bërë denoncimin për shoferin. Në dëshmisë e tyre përpara forcave blu, ata kanë pohuar se rreth orës 13:00, duke drejtuar autobusin e linjës Durrës-Ishëm prenotuar nga Drejtoria Arsimore Durrës, drejtuesi i automjetit, Bilal Kërkusha ka ndaluar në afërsi të stacionit të trenit disa metra më larg vendit të caktuar dhe i është drejtuar grupit të mësuesve, që ndodheshin pikërisht në autobus, duke i ofenduar dhe kërcënuar. Menjëherë pas marrjes së dëshmisë nga ana e arsimtarëve, policia e Durrësit ka nisur punën për zbardhje e plotë të ngjarjes, ku mbi 51- vjeçarin rëndon akuza e "Kanosjes".