E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjaken rrugët, tre aksidente të rënda gjatë fundjavës

Përgjaken rrugët e Shqipërisë gjatë një fundjave të stresuar zgjedhjesh. Tre aksidente të rënda, me pasojë vdekjen e të paktën 3 personave, të afërm me njëri-tjetrin, janë shënuar në Durrës dhe Korçë, ndërkohë që është shënuar dhe aksidenti i parë në superstradën e përuruar, ende pa u mbyllur, atë Rrëshen-Kalimash. Mësohet se nga përplasja e dy automjeteve, të cilat udhëtonin me shpejtësi, kanë mbetur të plagosur 4 persona të së njëjtës familje. Burime nga policia bëjnë të ditur se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit nga ana e drejtuesve të mjeteve, por dhe mungesa e sinjalistikës në rrugë e terreni i rrëshqitshëm, si pasojë e motit të lagësht. Të njëjtat burime referojnë se një makinë me targa të Tiranës, 6467L, është përplasur me një makinë me targa të Kosovës, 540KS800, dhe kanë mbetur të plagosur Lufti Hyka, i cili është në gjendje të rëndë, Alesio dhe Anisa Hyka, përkatësisht 2 dhe 7 vjeç, si dhe Bajram Hyka. Ndërkohë mësohet se është rritur bilanci i viktimave në aksidentin e Maminasit në Durrës. Aksidenti i rëndë automobilistik që ndodhi mbrëmjen e së shtunës në Rrethin e Durrësit, si rezultat i daljes nga rruga të një automjeti që lëvizte me shpejtësi, ka regjistruar 3 të vdekur. Përveç 50-vjeçarit Bujar Lala, të vdekur kanë mbetur edhe djali i tij, Eltjon Lala, 26 vjeç, si dhe një i afërm i tyre, Edison Imeri, 27 vjeç, nga Bulqiza. Nga veprimet hetimore, si këqyrja e vendit të ngjarjes dhe pyetja e dëshmitarëve, rezultoi se automjeti me të cilin janë aksidentuar, një "BMV" gri, me targa CC586YC, në pronësi të Eltjon Lalës, drejtohej me shpejtësi prej 26-vjeçarit. Lala ka humbur kontrollin e mjetit dhe për pasojë është përplasur me një tub betoni të një kanali dhe me një shtyllë metalike. Si pasojë, viktimat kanë marrë dëmtime në kokë dhe trup, të cilat kanë qenë fatale për ta. Ndërkohë që pasditen e djeshme, një tjetër aksident ka ndodhur në aksin Korçë-Pogradec. Për shkak të shpejtësisë së madhe, një makinë ka përfunduar jashtë rruge dhe për pasojë kanë mbetur të plagosur 5 personat që udhëtonin në makinën me targa të Tiranës, 6875J. Mësohet se të plagosurit janë: Ervin dhe Elona Caci, Kristian Korçari dhe Aristotel Çifliku. Të plagosurit janë dërguar menjëherë për në spital, nga ku mësohet se janë në gjendje të rëndë dhe në rrezik për jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›