Durrës, u dogj në kabinën elektrike, gjendje të rëndë 62 vjeçari
/>Një burrë në moshë të thyer po lufton me vdekjen në spital, pasi u dogj në brendësi të një kabine elektrike në Plazhin e Durrësit, ku u fut në përpjekje për të rikthyer energjinë e munguar elektrike. Burime të policisë lokale bënë të ditur se 62- vjeçari Eqerem Ismaili, lindur në Librazhd dhe banues në lagjen nr 13 të Plazhit të Durrësit te sektori Hekurudha, ka hyrë paraditen e së dielës rreth orës 09:00, në kabinën elektrike të filialit nr 71 të ish- hotel Kruja.
I moshuari mësohet se e bëri këtë hap, me qëllim që të rregullonte linjën elektrike që kishte zhytur në terr zonën. Sipas hetimeve të para, 62-vjeçari, nga pakujdesia ka rënë në rrymë elektrike dhe është dëmtuar rëndë, duke marre plagë djegieje në trup. Në atë gjendje, ai është dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës nga familjarët e tij. Mjekët thonë se gjendja e 62- vjeçarit është kritike për jetën.