E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Gjirokastrës, diploma pa elementë sigurie për Infermierinë

/>Studentët refuzojnë tërheqjen e diplomës. Paralajmërojnë protesa
Ndryshimet në formë apo përmbajtje, që kanë prekur diplomat e studentëve në disa rrethe të vendit, janë parë si problematike kësaj here në degën e Infermierisë, në  Universitetin e Gjirokastrës. Diplomat e tyre nuk ngjasojnë aspak me ato të studentëve të diplomuar vitemë parë. Mbi të gjitha, janë diploma pa asnjë element sigurie. Janë këto shkaqet për të cilat studentët e diplomuar për Infermieri, kanë refuzuar të marrin diplomat e lëshuara nga Universiteti i Gjirokastrës. Kështu, mësohet se janë rreth 100 studentë, të cilët kanë mbaruar ciklin e plotë tre vjeçar të Infermierisë së Përgjithshme në Universitetin e Gjirokastrës, të cilët kanë refuzuar të tërheqin diplomat e formimit pranë sekretarisë. Një përfaqësi e tyre, shumica e të cilëve të punësuar në qendra spitalore në rrethet e jugut, kanë marrë kontakt të drejtpërdrejt me zv/ rektorin e Universitetit të Gjirokastrës, Petraq Karajani, për tu informuar rreth këtij handikapi të etiketuar nga ata vetë. Sipas tyre, diploma e shtypur në një prej shtypshkronjave të Gjirokastrës, është e pavlefshme pasi në të mungojnë elementët e sigurisë, numri i amzës, protokollit, mungesa e fotografisë së studentit të diplomuar, si dhe mjaft elementë të tjerë, çka presupozon se kjo diplomë nuk është e barazvlefshme me simotrat e tjera në Universitetin e Vlorës apo Tiranës.
Reagimi i studentëve
Sipas njërës prej studenteve të sapodiplomuara, Valbona Pazi, diplomat janë krejtësisht të kundërta dhe jo me të njëjtin format me diplomat e lëshuara nga Universiteti i Gjirokastrës gjatë viteve të kaluara. Veç kësaj, ato nuk kanë kurrëfarlloj ngjashmërie me diplomat që janë lëshuar për vitin akademik që përfundoi korrikun e kaluar, për studentët e Infermierisë në Universitetin e Vlorës. Kjo ka shtyrë që studentët e sapodiplomuar të shfaqin dyshime për validitetin e diplomës së lëshuar.ndërkaq, zv/ rektori Karajani, ka siguruar studentët të cilët kanë qenë të revoltuar, se diploma e lëshuar është shtypur në parametrat e lëshuara nga Ministria e Arsimit së bashku me elementët e saj të sigurisë. Mirëpo këto elementë sigurie, zoti Karajani nuk i ka shfaqur, duke ia atribuuar këtë përgjegjësi dikasterit përkatës. Megjithatë, ai ka shpjeguar se diplomat e Infermierisë, janë valide dhe konform sistemit të Bolonjës 3+2. Ndërsa të gjithë studentët nga ana e tyre kanë paralajmëruar për organizimin e një tubimi proteste të mërkurën, nëse nuk del ndonjë rezultat nga takimi që do të zhvillojnë me rektorin e Universitetit të Gjirokastrës, Gëzim Sala. Ndërkohë që nuk kanë munguar edhe zërat për djegien e diplomave në mënyrë demonstrative pas dy ditëve në prani të mediave dhe drejtuesve të Universitetit të Gjirokastrës. Kështu, pritet ndërmarrja e një vendimi për ndryshimin e këtyre diplomave, në të kundër, studentët kanë siguruar se reagimi i tyre së shpejti do të pasohet me një protestë.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›