E Diel, 1 Nëntor 2026

PDS: Topi të kthejë ligjin, është "gjueti shtrigash"

>Kur jemi në kufirin kohor përpara publikimit të qëndrimit të Presidentit të Republikës mbi ligjin për kontrollin dhe pastërtinë e figurës së zyrtarëve, Partia Demokracia Sociale i kërkon zotit Bamir Topi ta rikthejë në Kuvend për rishqyrtim të ashtuquajturin ligji i dosjeve. "Ne besojmë se ligji ka përplasje themelore me Kushtetutën, duke cënuar në mënyrë të hapur lirinë e të drejtat e njeriut dhe duke krijuar mundësinë e nisjes së një gjuetie  shtrigash ndaj kundërshtarëve politikë apo institucioneve të pavarura nga qeveria"- deklaron Artur Duçkallari, sekretar politik i PDS. Nisur nga ky fakt Partia Demokracia Sociale i bën sërish thirrje Qeverisë të reflektojë edhe me qëndrimet partnerëve tanë euro-atlantik si dhe të Pranisë së OSBE-së në Tiranë dhe Këshillit të Evropës, lidhur me ligjin e dosjeve. Nga ana tjetër, ne shprehim shqetësimin e thellë për presionin që po tentohet të ushtrohet ndaj Kreut të Shtetit prej Kryeministrit Berisha dhe deputetëve të bindur të tij. Tashmë është evidente se për problemet e shumta që mbart ligji, i miratuar vetëm me votat e PD-së dhe të aleatëve të saj, mazhoranca i druhet vendimit të Presidentit dhe reagimeve ndërkombëtare. Braktisja e delegacionit presidencial në Kosovë nga disa deputetë të Partisë Demokratike, mungesa e anëtarëve të qeverisë për të shoqëruar Presidentin dhe paralajmërimet publike kundër Bamir Topit, kanë vetëm një qëllim: Të ndikojnë vendimmarrjen e Kreut të Shtetit, duke i bërë Atij presione për të mos e kthyer ligjin në Kuvend. Sipas PDS, duke deklaruar se do ta votojë sërish ligjin e dosjeve, edhe në rast se ai kthehet nga Presidenti, Kryeministri tregon kokëfortësinë politike dhe dëshirën për tu konfliktuar me institucionet.  PDS mendon se Shqipëria ka mundësi të prodhojë një ligj të mirë për lustracionin, duke shfrytëzuar ekspertizën më të kualifikuar ligjore dhe mbledhur eksperiencat e vendeve të tjera, pa bërë deformime që synojnë goditjen e institucioneve apo njerëzve të caktuar. "I kërkojmë Presidentit të Republikës që në lartësinë që i jep detyra të bëhet garant i ligjit dhe kushtetutës së vendit dhe ta kthejë sërish ligjin në parlament për rishqyrtim"-deklaron Duçkallari.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›