E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Shqipëria, 1060 trupa në Afganistan nga 2002



"Nga viti 2002 Shqipëria ka dërguar 1060 trupa në Afganistan", - kështu u shpreh dje zv. kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, teksa mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Kabulit, e cila u zhvillua në vijimësi të Konferencës së Londrës për Afganistanin. "Gjatë kësaj periudhe kohore, forcat e armatosura shqiptare kane dislokuar në terren një numër të përgjithshëm, prej 1060 trupa ushtarakë; 251 prej tyre tani janë vendosur në zonat më të ndjeshme të vendit", - tha Meta. Sipas tij, "duke qenë të vetëdijshëm për sfidat që kemi përpara, dhe në përputhje me detyrimet si anëtar i ri i NATO-s, ne kemi vendosur të shtojmë pjesëmarrjen tonë në ISAF, me një kontingjent shqiptar shtesë, prej 85 trupash ushtarake. Prej tyre, 44 do të jenë trupa luftarakë, të cilët do të angazhohen në operacione të rrezikshme luftarake". Në këtë takim ishin të pranishëm edhe sekretarja e shtetit të SHBA-së, Hilari Klinton, ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Franko Fratini, ministri i Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kushner, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›