E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligjet, shumica vë në provë opozitën



erald kapri

Maxhoranca do të verë në provë opozi-tën në seancën e të enjtes, kur në rendin e ditës do të ketë mbi 17 projektligje dhe Kode për t'u miratuar. Disa nisma ligjore që presin mbi 2 vite për t'u miratuar në sallën e Kuvendit, presin votën e opozitës pasi kërkojnë 84 vota. Mes kësaj prove ndodhet projektligji më i rëndësishëm, ai për ngritjen e Gjykatës Administrative, por që prej më se një viti e gjysmë nuk është miratuar në Kuvend, për shkak të bojkotit të opozitës. Nga ana tjetër, Konferenca e Kryetarëve në Kuvend ka vendosur në axhendë edhe disa projektligje që janë kontestuar fort nga opozita. Një ndër ta është projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8391, datë 26.10.1998 "Për Shërbimin Informativ të Shtetit" të ndryshuar". Këto ndryshime në Shërbimin Informativ Shtetëror bëjnë disa ndryshime në kompetencat e SHISH, si dhe vendosin një mandat prej 5 vitesh për kreun e SHISH me të drejtë rizgjedhje. Ky projekt është kundërshtuar nga ndërkombëtarët, ndërsa aktualisht ndodhet në konsultime. Por në axhendë do të jenë edhe ndryshimet në ligjin për Arsimin e Lartë, tepër të debatuar për pjesën se si do të ekuivalentohen diplomat e studentëve aktualë dhe atyre që kanë bërë shkollën e lartë me sistemin e vjetër. Njëkohësisht pritet të miratohet edhe projektligji për disa ndryshime në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, një propozim i deputetit Enkelejd Alibeaj, por që opozita është shprehur se do e dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Ky projektligj vendos që Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të mund të rishohë vendimet e dhëna të pronave në vite. Projektligji i propozuar nga Alibeaj parashikon kriteret dhe procedurat për rishikimin e vendimeve, që kanë marrë formë të prerë të ish-zyrave rajonale të AKKP-së në qark, ish-komisioneve vendore për kthim dhe kompensim të pronave, si dhe të ish-komisioneve të rretheve apo bashkive për kthimin dhe kompensimin e pronave për ish-pronarët. Sipas kësaj dispozite, AKKP-ja rishikon vendimet vetëm kur "zbulohen rrethana të reja apo akte të reja shkresore që kanë rëndësi për çështjen, të cilat nuk mund të diheshin gjatë shqyrtimit të kërkesës për njohje, kthim apo kompensim të pronës". Projektligji ka rregulluar me anë të një dispozite edhe situatën e rasteve, kur shkaku për rishikim është zbuluar përpara momentit të hyrjes në fuqi të këtij ligji, duke vendosur afatin prej 60 ditësh nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit për të bërë kërkesën. Një tjetër projektligj është edhe ai për pasaportat biometrike, duke vendosur që emigrantët shqiptarë të aplikojnë për to edhe në konsullatat shqiptare në Greqi e Itali. Më tej mbeten edhe ndryshime në Kodet e vendit, të cilat kërkojnë domosdoshmërisht 84 vota. Parashikohen ndryshime në Kodin Rrugor, atë Detar, Civil, Penal, Detar, Doganor, Ajror etj. Këto ndryshime janë në kuadër të reformave rregullatore, të kërkuara nga Bashkimi Europian në kuadër të përafrimit të legjislacionit. Bojkoti i opozitës prej mëse 1 viti, ka bërë që këto iniciativa ligjore të mos merren në shqyrtim.

Seanca e datës 22.07.2010

1.Projektligj "Për ratifikimin marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Sllovenisë për shkëmbimin dhe mbrojtjen reciproke të informacionit të klasifikuar".
2. Projektligj "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8668, datë 23.11.2000, "Për pajisjen e shtetasve me pasaportë për jashtë shtetit", të ndryshuar".
3. Projektligj "Për disa ndryshime në ligjin nr. 9720, datë 23.4.2007, "Për auditimin e brendshëm në sektorin publik".
4. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9741, datë 21.05.2007 "Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë" të ndryshuar".
5. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8391, datë 26.10.1998 "Për Shërbimin Informativ të Shtetit" të ndryshuar".
6. Projektligj "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9235, date 29.07.2004 "Për kthimin dhe kompensimin e pronës" të ndryshuar".
7. Miratimi i akt normativ nr. 3, datë 8.7.2010 "Për disa ndryshime në ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 "Për prokurimin publik" të ndryshuar".
8. Projektligj "Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative".
9 .Projektligje "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 "Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar".
10. Projektligj "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7850, datë 29.7.1994 "Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar".
11. Projektligje "Për disa ndryshime she shtesa në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998, "Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë" të ndryshuar".
12. Projektligj "Për një ndryshim në ligjin nr. 9317, datë 18.11.2004 "Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë".
13. Projektligj "Për disa ndryshime në ligjin nr. 8449, datë 27.01.1999 "Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë" të ndryshuar".
14. Projektligj "Për një shtesë në ligjin nr. 10.040 datë 22.12.2008 "Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë".
15. Projektligj "Për një ndryshim në ligjin nr. 9251, datë 8.7.2004 "Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë".
16. Votim për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri.
17. Votime të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›