Durrës, u premtonte viza shengen,pranga për mashtrim përkthyeses
DURRES - U premtonte bashkim të shpejtë familjar në këmbim të 2500 eurove, por me të marrë paratë “nuk i njihte” më personat e interesuar për vizë. Një përkthyese është arrestuar në Durrës, pas shpalljes në kërkim nga policia. Arlinda Baroti 38 vjeçe, me arsim të lartë, e cila veç përkthimit të licencuar ishte e diplomuar dhe për gazetari, është prangosur për mashtrim. Arrestimi është kryer në afërsi të lagjes 13 (lagja Plazh), ku banonte gruaja, nënë e një fëmije. Burime nga policia e qarkut saktësuan se “Prokuroria e Rrethit të Durrësit ka lëshuar për Barotin një mandat arresti që daton 25 janarin e vitit 2010, i cili është ekzekutuar në orët e mëngjesit nga uniformat blu. Ata e kanë lënë Barotin në dispozicion të drejtësisë, për të vuajtur vendimin penal të Gjykatës së Durrësit, e cila në datën 12 dhjetor 2008, e ka dënuar me tre vjet burg. Hetuesit njoftojnë se përkthyesja është gjetur fajtore nga togat e zeza për veprën penale të “mashtrimit, të kryer më shumë se një herë”. Bazuar në vendimin e Gjykatës së rrethit të Durrësit rezulton se shtetasja në fjalë ka mashtruar tre persona të tjerë, të cilëve iu ka premtuar se do t’u siguronte viza italiane me qëllim dërgimin në shtetin fqinj të të afërmve të tyre. Policia në bazë të denoncimeve të personave të dëmtuar ka dokumentuar tre raste, ku në dy prej tyre nusja do të arrinte burrin në Itali dhe në një rast mbesa shkonte tek xhaxhai. Garant për këto viza hynte përkthyesja, e cila kishte bërë edhe pazarin që sipas policisë kapte shifrën e 2000-2500 eurove për kokë. Por kur kaluan ditë, javë dhe muaj, Baroti jo vetëm që nuk kishte siguruar vizat për të interesuarit, por as nuk u kishte kthyer paratë këtyre personave. Të ndjerë të mashtruar nga përkthyesja e italishtes, të dëmtuarit iu drejtuan vite më parë policisë. Hetimi i nisur nga policia, pati në fund të vitit 2008 një vendim gjykate, për të cilin Prokuroria lëshoi në janar të këtij viti urdhër-ndalimin.