Spitali 3 vjet pa aparat radiologjie
VLORE - Për më shumë se tre vjet, aparati i radiologjisë në spitalin e Vlorës nuk është në gjendje pune. Të gjitha ekzaminimet kryhen me aparatet e vjetra, të cilat ndodhen në këtë spital prej shumë se 50 vitesh. Ky aparat u instalua katër vjet më parë në kuadër të investimeve në këtë spital, por ka funksionuar vetëm për një muaj. Pas një defekti që nuk u riparua, aparati doli jashtë përdorimit. Mësohet se vlera e paguar për të është rreth 150 mijë euro, por aktualisht nuk kryen asnjë funksion. Sipas mjekëve, pritet kryerja e riparimit dhe vendosja e një stabilizatori për energjinë që ky aparat të fillojë funksionin e tij. Ata u shprehën se dëmtimi i këtij aparati ishte shkaktuar vetëm për shkak të energjisë elektrike. Mjekë të spitalit të Vlorës konfirmojnë se aktualisht, kërkesat e qytetarëve për ekzaminime në spital janë të shumta. Por ato kryhen me aparatet e vjetra të radiologjisë. Një tjetër shkak i dëmtimit të aparatit modern mbetet edhe fakti që për rreth dy vjet ka qëndruar në magazinë, gjatë kohës së rikonstruksionit të spitalit. Drejtori i spitalit të Vlorës, Besnik Elezi u shpreh se “ky ka qenë një nga aparatet me modernë që ka ardhur për spitalin tonë, por vetëm një muaj ka funksionuar. Teknikët e këtij aparati kanë ardhur shpesh për të riparuar këtë investim që ka bërë Ministria e Shëndetësisë, por sa largohen, ai sërish prishet”, u shpreh Elezi. q.b