E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuta dhe Ruzhdia

Mentor Nazarko

Shndërrimi i fshatit Ruzhdie në një kazus, në një rast prove të cilësisë së manipulimit të zgjedhjeve të 29 qershorit në Shqipëri, duket me të vërtetë një kryevepër e PR, dmth. e marrëdhënieve publike të një krahu të politikës. Rasti i marrë në shqyrtim, i bërë publik me të gjitha detajet, është ilustrues i sëmundjeve të këtyre zgjedhjeve: kudo nëpër Shqipëri ka një numër të madh emigrantësh, për të cilët votojnë të tjerë; përqindja e votimit familjar është e madhe; shumë njerëz mund të kenë votuar më shumë se njëherë, janë konstatime dhe të raportit të OSBE-së, etj. Ky rast ka vënë në provë soliditetin e të gjithë sistemit zgjedhor, në veçanti të hallkave të administrimit të zgjedhjeve dhe gjykimit të tyre. Dhe sipas një skeme të përsëritur propagandistike, është zgjedhur emri i një fshati, për të njollosur të gjithë territorin. Dikur Dushku, i cili u përsërit si “i madh” dhe si “i vogël”:ani mbërritëm te Ruzhdia.
Ndërkohë ky marifet PR, duket se ka sukses dhe në planin ndërkombëtar. Me dokumentet që kanë vlerë ligjore, të treguara nëpër institucione evropiane, duket se ja kemi arritur të tmerrojmë me përmasat e manipulimit përfaqësuesit e tyre. Këto përmasa, edhe nëse nuk janë të mëdha në zonat urbane, sigurisht duhet të jenë të mëdha në zona apo xhepa mbështetjeje të konsoliduar të tipit Bathore, Paskuqan, apo ku dihet ku. Pse jo dhe në krahun e majtë. Që kjo gjetje është efikase duket dhe në çarmatosjen e mjeshtrit të këtyre marifeteve, Berishës. Argumentet e tij të dobët se kështu është votuar dhe në të shkuarën në Ruzhdie, s’mohojnë dot asgjë. Maksimumi mund të tregojnë se kështu mund të jetë manipuluar gjithnjë në Ruzhdie, në mos në cilësi, pra për krahun që ka fituar, në sasi. Pra, sa vota ka marrë realisht partia fituese.
Ruzhdia, sa e hidhur
Por ky gëzim për marifetet e PR, apo të propagandës së një partie, megjithatë të lë një shije të hidhur në gojë. Më së pari për vonesën, për kohën e harxhuar në kërkim të një Ruzhdie kaq shpërthyese. Mos vallë nuk i kishte kapacitetet një parti kaq e madhe për të gjetur prova të ngjashme që në fillim? Pra vërtet që të gjithë komisionerët u vodhën, u blenë, kështu që nuk u mundësua gjetja e Ruzhdies, apo e Ruzhdieve, shumë kohë më parë?
Këto muaj që kanë kaluar nuk janë të parëndësishëm në historinë e Republikës sonë. Janë muaj pas hyrjes në NATO, dhe që mund të shërbenin për reforma modernizuese të vendit në planin gjyqësor, administrativ,ekonomik, etj, etj. Këto muaj ishin të dobishëm dhe për të dëftyer më shumë prova në procesin e integrimit evropian që kalon nga liberalizimi i vizave. Të gjithë këto vepra kërkonin konsensus dhe ky konsensus ka munguar për shkak të bojkotimit të opozitës në Parlament, pra adoptimi i një qasjeje politike, antisistem i kësaj opozite. Kjo klimë politike, ky drejtim i vendit në mënyrë unipolare ka krijuar premisa, që kjo Qeveri të gabojë më shumë se më parë, madje të arrijë të ketë gisht në fatkeqësi të përmasave të mëdha si përmbytjet ”e vetëdijshme” në veri, etj, etj. Për më shumë, kjo prani e opozitës në institucione do ishte e dobishme në kontekstin e një krize ekonomike dhe financiare ku po zhytet vendi dhe falë këtyre fatkeqësive të reja, apo atyre me origjinë të vjetër si rrëshqitjet apo kënetëzimet. Kriza e kutive shpenzoi shumicën dërmuese të energjive të opozitës, duke lënë mënjanë ngjarje më të mëdha, me gjithë alibinë e opozitës se kriza e kutive prodhoi të gjithë krizat e tjera.
Këto 6 muaj kanë ndikuar dhe më në keqësimin e imazhit të vendit dhe jo në përmirësimin e tij. Për më shumë energjitë apo burimet njerëzore në planin diplomatik të vendit janë harxhuar për t’i mbushur mendjen parlamentarëve të veçantë evropianë apo amerikanë, kancelareve të caktuara se “ne nuk jemi hajdutë dhe se ata janë shpifës”. Diçka joserioze për një vend normal, i cili në fund të fundit nuk ka aftësi për të administruar krizat me burime të brendshme.
Shija e hidhur të vjen se edhe në fund të fundit, ai “që dyshohet se ka vjedhur lopën”, vazhdon goxha gjatë të mbajë peng integrimin e vendit, nëpërmjet të ashtuquajturve argumente kushtetuese. Duke pranuar argumentet e tij se Rama shpik kutitë se nuk do liberalizimin e vizave, nuk arrihet të kuptohet diçka. Si vallë kreu i shumicës nuk iu përgjigj kaq gjatë kërkesave të opozitës, qoftë dhe në formë të moderuar? Pra, nëse ai e do liberalizimin e vizave kaq shumë, (madje dhe për arsye pragmatike, pasi merr vota me to) pse nuk lëshon me elegancë për kërkesat e opozitës të revizionuara thellësisht? A vlejnë hapja e 5 kutive; a vlen Ruzhdia sa liberalizimi i vizave?
Po e mbyll me një argument të karakterit retrospektiv, në përpjekje për t’ju përgjigjur alibive të opozitës që insiston në hapjen parlamentare të kutive, sepse sipas saj, sistemi nuk ka funksionuar. Pra sipas saj, s’ka funksionuar KQZ, Kolegji Zgjedhor, Prokuroria, megjithëse mund të jenë bërë denoncime të ngjashme me Ruzhdien. Ndaj sipas opozitës vetëm Parlamenti mund të bëjë këtë, pra të hetojë zgjedhjet, të korrigjojë defektet për të ardhmen.
Argumenti im është i thjeshtë. Në rastin e Ruzhdies, mund të thuhet e kundërta e asaj çka thotë opozita. Sistemi ka funksionuar. Me vonesë, por ka funksionuar. S’funksionoi mirë KZAZ, korrigjoi diçka KQZ. Kolegji korrigjoi diçka më shumë dhe më në fund Prokuroria po çon deri në gjyq një hetim serioz. Pra, qarku institucional është mbyllur. Opozita mund të thotë se Prokuroria është treguar pasive në hetimin e rasteve të tjera. Mundet të jetë e vërtetë kjo, por jo se Prokuroria kontrollohet nga Qeveria. Nëse do të ishte kështu, ajo s’do të hetonte dhe në Fier, që sapo është e centralizuar. Po këtu kemi të bëjmë me një gabim strategjik të opozitës. Kjo opozitë e drejtuar nga Edi Rama ka pranuar në mënyrë miope të korrigjojë Kushtetutën e 1998 në mënyrë thelbësore. Ajo ka rishikuar ato nene që treguan vlerë të madhe në jetën e tyre, ato nene që mundësuan në Shqipëri lindjen apo konsolidimin e institucioneve të pavarura si Presidenca, Prokuroria, Shërbimi Sekret, Gjykatat e shkallëve të larta, etj, etj. Nëse nuk do ta kishte bërë këtë gabim strategjik, me siguri situata sot do të ishte ndryshe. Shteti do kishte funksionuar dhe sot s’do kishim nevojë të kërkonim hetim parlamentar.
Ruzhdia, pra na kujtoi Kushtetutën, në të vërtetë diçka të madhe. Pra Ruzhdia nuk është kaq e thjeshtë. Ndërsa na pëlqen si gjetje propagandistike, na trishton për kohën e humbur deri në gjetjen e saj. Apo për gabimet e mëdha të kësaj opozite, që sot s’po i paguan vetëm ajo, duke mbetur jashtë pushtetit, por edhe vendi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›