Rigjykohet “atentatori” i Berishës
Fatos Mahmutaj
Ilir Buza, 38 vjeçari nga Kruja që 15 vjet më parë tentoi të vetëvritej me granatë para syve të dy ish-presidentëve, të Shqipërisë dhe Italisë, Sali Berisha dhe Oscar Luigi Scalfaro do të rigjykohet në Apelin e Tiranës. Dosja e tij ka nisur të shqyrtohet pikërisht nga e njëjta gjykatë që i dyfishoi dënimin e mëparshëm nga 13 në 25 vjet burg, vetëm një muaj para se vendi të përfshihej në rrëmujat e 1997-ës dhe i riu të arratisej nga qelia dhe të ndërtonte një jetë të qetë në shtetin grek. Më 5 janar 2007 Ilir Buza u përzu nga Greqia si emigrant i paligjshëm dhe ndërsa kaloi portën e kufirit në Kakavijë ku iu komunikua dënimi me 25 vjet burg dhe u dërgua në qeli. Ngjarja për të cilën 38-vjeçari nga fshati Mazhë e Vogël e Krujës përfundoi në qeli, ka ndodhur më 19 prill 1996. Atëherë vetëm 24 vjeç Buza pasi kishte blerë disa ditë më parë një granate dore nga një person i panjohur shkoi përpara ambienteve të Presidencës. Atë ditë në godinë ndodhej dhe Presidenti i atëhershëm i Italisë Oscar Luigi Scalfaro, i cili ndodhej në Shqipëri për një vizitë ku po takohej me ish-presidentin Sali Berisha. Në momentin që të dy presidentet po dilnin nga godina, oficerët e policisë kanë konstatuar të riun, i cili mbante granatën në dorë dhe shprehej se do vriste veten. “Me gjithë përpjekjet e oficerëve të policisë për dorëzimin e tij ai nuk ka pranuar, dhe pas disa lëvizjeve profesionale të forcave speciale të rendit Ilir Buza është neutralizuar dhe më pas arrestuar”, -thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë, me të cilin është urdhëruar rigjykimi i çështjes në Apel. Në fakt “rebelimi” i Ilir Buzës është filmuar dhe transmetuar nga Televizioni Shqiptar dhe shumë stacione televizive italiane dhe greke, kameramanët e të cilëve ndodheshin duke ndjekur ceremoninë e vizitës së Presidentit italian Scalfaro. Më 6 dhjetor 1996 Gjykata e Tiranës e gjeti fajtor Buzën për “kryerje të aktit terrorist, mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje” dhe e dënoi me 13 vjet burg. Vendimi mori formë të prerë më 16 dhjetor 1996, por 8 ditë më vonë, më 24 dhjetor Prokuroria e kryeqytetit bëri kërkesë për rivendosje në afat të së drejtës së ankimit dhe apelim ndaj vendimit. Ditën e fundit të vitit 1996, dhe pikërisht më 31 dhjetor, Gjykata e Tiranës e pranoi kërkesën prokurorisë dhe pas apelimit të çështjes, Shkalla e Dytë më 22 janar 1997 ka lënë në fuqi kualifikimin e veprës penale por shtoi dënimin në 25 vjet burg ndaj Ilir Buzës. Rreth një muaj më vonë gjatë trazirave të vitit 1997, me hapjen e burgjeve, autori i ngjarjes u largua nga qelia dhe përfundoi në Greqi. Pasi u përzu si emigrant i paligjshëm nga Greqia më 5 janar 2007, Ilir Buza përfundoi në qeli, ndërsa iu drejtua Gjykatës së Tiranës për vendosjen në afat të të drejtës së ankimimit të çështjes. Më 19 nëntor 2007 gjykata ia pranoi këtë kërkesë ndërsa dosja e tij mbërriti në Gjykatën e Lartë. Një Kolegj Penal i Shkallës së Tretë vendosi më 21 tetor të vitit të kaluar kthimin e çështjes në Apel dhe rigjykimin e saj, ku tashmë dosja ka mbërritur dhe pritet rishqyrtimi i saj.
Argumentet e gjykatës për rigjykimin
TIRANE - Në vendimin e rikthimit të çështjes në Apel Gjykata e Lartë pohon se pretendimet e ngritura në rekurs nga mbrojtja e të gjykuarit janë tërësisht të mbështetura në ligj. “Rezulton se gjykimi i zhvilluar në Apel më 22.01.1997 ndaj Ilir Buzës është bërë në mungesë të tij, pa u njoftuar i pandehuri, konform Kodit të Procedurës Penale në rast se ndodhej i paraburgosur, pa u bërë deklarimi i mungesës së tij apo dhe në rast se nuk ndodhej i paraburgosur, pa praninë e mbrojtësit të tij apo avokatit kryesisht. Pra është vepruar në kundërshtim me dispozitat procedurale në fuqi. Këtë qëndrim mbajti në seancë edhe prokurori pranë Gjykatës së Lartë, i cili gjithashtu kërkoi pranimin e rekursit dhe prishjen e vendimit të Apelit, pikërisht për shkaqet e ngritura në rekurs”, argumenton Gjykata e Lartë duke përfunduar se: “Në këto rrethana, Kolegji Penal vlerëson se vendimi i Apelit është marrë në kundërshtim me normat procedurale penale, e si i tillë duhet të prishet, duke e dërguar çështjen për rigjykim në atë gjykatë, me trup tjetër gjykues”. f.m.
Policët i kapën granatën në dorë Ilir Buzës
TIRANE - Përpara kamerave të televizioneve të shumtë që po përcillnin ceremoninë e vizitës së Presidentit të atëhershëm italian Oscar Luigi Scalfaro, Ilir Buza u shfaq me granatë në dorë në bulevardin kryesor përpara Presidencës në kohën që Scalfaro po dilte i shoqëruar nga ish-kreu i shtetit shqiptar Sali Berisha. Gjatë kësaj kohe ai përmendte faktin se do vriste veten, ndërsa nuk pranonte të dorëzohej apo të çarmatosej. Ngjarja zgjati disa minuta ndërsa arrestimi i tij u bë pasi policia mundi ta neutralizonte duke i kapur dorën së bashku me siguresën e mjetit shpërthyes. Për këtë ngjarje, e cila u përcoll me bujë edhe në shumë televizione të huaja, Buza përfundoi në qeli dhe u dënua me 13 vjet burg në Shkallë të Parë, por Apeli ia ngriti dënimin në 25 vjet. Aktualisht 38 vjeçari krutan ndodhet duke e vuajtur dënimin pasi në janar 2007, plot 10 vjet pas arratisë nga qelia u rikthye sërish në të. Kjo pasi Policia greke e përzuri si emigrant të paligjshëm ndërsa në Kakavijë u prit me pranga. fa.ma.