E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizita e Metës duhet përgëzuar

Ilir KULLA

Pas gjashte muajsh, Ilir Meta ndërmori një veprim të guximshëm politikisht si ministër i Jashtëm Deri tani, e kemi pare me gjera rutinë dhe vizita gati të rëndomta ministrore. Vizita në Beograd, jo vetëm që është shumë e rëndësishme, por përben edhe një etapë të re politike për të gjithë rajonin tonë, ndaj duhet përgëzuar. I takon ministrit të Jashtëm, të ndërmarrë hapa të guximshëm, të cilët lënë pas një të kaluar të errët dhe kjo bëhet me transparencë dhe kurajë politike. Meta i përket atij brezi politik, i cili u përball me konfliktin e Kosovës dhe atë të Maqedonisë, në detyrën e Kryeministrit. Për fat të keq, ai nuk arriti në planin e brendshëm politik të bëhej lider për shkak të gabimeve të tij, duke lënë kështu detyrën e Ministrit të Jashtëm dhe projektet politike të atëhershme, për hir të grindjeve pa kuptim në partinë e tij, gjë që i kushtoi karrierën në PS. Tani është koha që të sfidojë vetveten dhe kundërshtarët nga posti Ministror i Diplomacisë. Ai nuk duhet të shqetësohet për korin negativ që ngrihet sa herë që ndërmerret një hap i rëndësishëm politik në skenën ballkanike. Kështu ka qenë edhe kur ju sulën Nanos për takimin me Millosheviçin në‘97, apo me Koshtunicën në 2000. Koha tregoi që dialogu i hapur atëherë ishte domosdoshëm, ndaj tani rifillimi i këtij dialogu është më i rëndësishëm se kurrë. Pavarësia e Kosovës i ka hapur rrugën jo vetëm shtetit të ri të Kosovës, por të gjithë rajonit të paqësohet. Këtë e dinë mirë politikanë edhe në Serbi. Faktori ndërkombëtar kërkon një Ballkan të qetë, ne qytetarët e Ballkanit duam një Ballkan në prosperitet. Të gjithë duam stabilitet dhe zhvillim, si alternativë të vetme kundër dhunës dhe konflikteve. Ndaj është koha që edhe me Serbinë të shkrihen akujt. Atje jetojnë rreth 100 mijë shqiptarë, të cilët duhet ta ndjejnë dorën e shtetit amë. Tregtia, investimet publike si autostrada Durrës-Kukës, linjat e interkonjeksionit apo lidhjet hekurudhore janë të domosdoshme në një botë që ndryshon. Ne shqiptarët jemi tashmë aktori më i rëndësishëm në Ballkan. Dinamikat e zhvillimeve ekonomike kërkojnë edhe zhvillime të rëndësishme politike, të cilat duhet të jenë cilësore, në kushtet që vendi ynë është anëtar i NATO-s dhe kufijtë tanë janë të rrethuar vetëm me shqiptarë. Ne duke prodhuar siguri për veten dhe për të tjerët bëhemi shembull zhvillimi.
Ilir Meta deri tani ka qenë një politikan i spikatur, por nuk ka qenë lider si Nano apo Berisha. Nëse në planin e brendshëm politik do të kërkojë që të bëhet lider një ditë, në postin e Ministrit të Jashtëm do t’i duhet të bëjë më shumë gjëra të guximshme, në mënyrë që kjo vizitë në Serbi për të cilën duhet përgëzuar, të mos ngelet e izoluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›