E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, vjedhjet e pushuesve bëhen edhe më të shpeshta

Bum vjedhjesh në Durrës. Katër automjete "Mercedes Benz" zhduken pa gjurmë brenda një nate, shtëpi të vjedhura, ndërsa një çifti nga Marikaj u janë vjedhur buzë detit nën kanosjen e armës të gjitha paratë dhe sendet me vlerë që kishin me vete. Pushues në plazhet e rrethit bregdetar, por edhe banorë të tij kanë vërshuar në dyert e policisë për të denoncuar vjedhje automjetesh, parash, bizhuterish të florinjta dhe aparatesh celularë. Me gjithë masat e marra nga policia, e cila ka përforcuar shërbimet për kontrollet përgjatë të gjithë zonës bregdetare, vjedhjet vazhdojnë me intensitet të lartë. Në vend të parë ngelen automjetet e tipit "Mercedes Benz", për të vijuar më pas me valutat monetare. Brenda një nate është denoncuar vjedhja e katër "Mercedes"-ëve në Durrës. Mëngjesin e djeshëm pranë Drejtorisë së Policisë së Durrësit janë paraqitur katër shtetas, të cilët kanë denoncuar vjedhjen e automjeteve të tyre. Hajdutët këtë herë kanë dëmtuar dy korçarë dhe dy banorë të Durrësit. Burimet policore bënë të ditur se Spiro S., 39 vjeç nga Korça ka qenë i pari që ka bërë kallëzim penal, pasi rreth orës 05:00 të mëngjesit ka konstatuar se autovetura e tij me targë KO2115B nuk ndodhej në vendin ku ai e kishte parkuar, te zona e Shkëmbit të Kavajës ku po bën pushimet. Një tjetër shtetas me pushime në po të njëjtën zonë, Edmond M., 51 vjeç nga Bilishti, denoncoi vjedhjen e mjetit me targë DV1871A. Orët e natës janë shfrytëzuar nga hajdutët e automjeteve dhe për vjedhjen e mjetit në pronësi të Jemin H., 66 vjeç me banim në zonën e ish-kënetës në Durrës. Ai ka konstatuar në mëngjes vjedhjen e autoveturës me targë DR4757C. Nuk i ka shpëtuar të njëjtit fat as mjeti tjetër me targë DR8238C në pronësi të 42-vjeçarit Shpëtim T. nga Durrësi. Katër viktimave të vjedhjes u është dashur të ecin në këmbë ose të kërkojnë ndihmën e miqve a mjeteve të transportit publik për të mbërritur deri në Durrës, ku kanë bërë dhe kallëzimet përkatëse penale. Ndërkaq, katër pushues të tjerë kanë rënë viktima të vjedhjeve në shtëpitë e marra me qira në plazh, ose në rërë ndërsa pushonin buzë Adriatikut. Klodjan B. 27 vjeç dhe bashkëshortja e tij, emigrantë në Itali, kishin ardhur për pushime në plazhin e Durrësit kur janë kanosur nga dy 20-vjeçarë me një thikë, teksa qëndronin të shtrirë në shezlongët e një hoteli. Nën kërcënimin e armës së ftohtë çiftit nga fshati Marikaj i janë marrë telefonat celularë, një shumë prej 30.000 lekësh, 200 euro, si dhe disa sende floriri, si varëse dhe byzylykë. Dy pushues të tjerë, Isen B. nga Tetova e Maqedonisë dhe Destan B. nga Gjilani i Kosovës gjithashtu kanë denoncuar vjedhjet në banesat e marra me qira prej tyre te Shkëmbi i Kavajës, ku u janë marrë para, kryesisht në euro dhe dollarë, një laptop dhe telefona celularë. Vjedhjes nuk i ka shpëtuar as një banor i plazhit të Durrësit. Persona të panjohur kanë hyrë në shtëpinë e Myzafer A. në plazh dhe i kanë marrë të gjitha paratë që mbante në shtëpi, ndërsa ai ndodhej në plazh. Të gjitha vjedhjet kanë ndodhur përgjatë një harku të shkurtër kohor, që nuk i kalon 10 orët, ndërkohë që në polici pranojnë se denoncimet kanë ardhur në rritje gjatë ditëve të fundit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›