E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, vrasësi i demokratit rrëfen krimin para gjykatës

 

DURRES / OERD ULQINI

Për Skënder Ballën, autorin e vrasjes ndaj militantit demokrat, Artan Zeka, nuk ka pasur asnjë dyshim se do të qëndronte në burg pa afat. Dëshmitë dhe arma e krimit ishin prova të pakontestueshme për ngjarjen e rëndë të së premtes, që shënoi viktimën e parë të fushatës elektorale.
Kjo masë sigurie e kërkuar nga Prokuroria dhe e vendosur nga gjyqtari Neritan Tabaku, nuk është kontestuar madje as nga pala mbrojtëse e përfaqësuar nga avokati Firdus Ajazi, e cila ia la në dorë gjykatës vendosjen e masës shtrënguese në ngarkim të të pandehurit Skënder Balla. Për herë të parë, drejtësia ka mësuar rrëfimin e plotë të Skënder Ballës, i cili i veshur krejt me të bardha është paraqitur në orën 13:00, përpara togave të zeza të Gjykatës së Faktit. I pandehuri ka pranuar se shkak i konfliktit kanë qenë akuzat që Artan Zeka, babai i tij Zaim dhe një bashkëfshatar tjetër i kishin bërë në adresë të tij për heqjen e posterave dhe flamujve të PD-së në Qerret. I pandehuri në seancë nuk foli aspak për vërtetësinë apo jo të akuzave për heqje flamuri ndaj tij, por u mor me momentin e sherrit. Madje, askush në seancë nuk është ndaluar në rrethanat e grindjes politike të krimit. Fillimi i rrëfimit të Ballës ka qenë momenti kur në bazë të dëshmisë, makina e tij, ngjyrë e zezë me targë gjermane e markës “BMW”, është goditur me gurë nga tre persona, mes të cilëve ishte edhe i ndjeri. “Sherrin e hapi një tjetër. Më pas erdhën babë e bir më nxorën nga makina dhe më goditën para shtëpisë. Madje u gjuajtën edhe familjarëve të mi. I shpëtova nga duart dhe shkova në barakë ku mora armën. U ndjeva shumë i fyer, por nuk doja të qëlloja në drejtim të personave, por vetëm ndaj makinës së të ndjerit. Pas kësaj u dorëzova”, mbaroi rrëfimin e tij i pandehuri. Por dosja voluminoze e Prokurorisë në raportin e saj përmend faktin se autovetura e prodhimit gjerman BMW me targë SUPL 13 dhe në ngjyrë të zezë nuk rezulton e dëmtuar asgjëkundi. Një gjë e tillë, e cila sipas Prokurorisë është e vërtetuar me akt-ekspertimin, duke hedhur poshtë pretendimet e Ballës, i cili u shpreh përpara trupit gjykues me fjalët: “Ata më bënë copë makinën me gurë”. Ndërkohë sipas palës mbrojtëse, iniciues i ngjarjes është bërë një sherr banal dhe vrasja është kryer nën presionin e një tronditje të thellë psikike. Ndërkohë ndaj të pandehurit Balla, Prokuroria ka formuluar dy akuza, “Vrasje në rrethana të cilësuara” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Përpara gjykatës Skënder Balla e pranoi vrasjen, por duke shtuar se kishte nën shënjestër vetëm autoveturën e Artan Zekës dhe jo personin në fjalë. Ndërkaq prokurorja e çështjes Alketa Nushi e cilësoi Ballën person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ndaj të cilit duhet aplikuar vetëm masa “arrest në burg”. Sipas saj, fakti që i pandehuri ka qëlluar një karikator të tërë kallashi ndaj një grupi personash, e bën atë përgjegjës ndaj dy akuzave të rënda të formuluara ndaj tij. Gjatë seancës së djeshme, në sallën e gjyqit ndodheshin vetëm dy familjarë të autorit, por asnjë person nga familja e viktimës. Në gjykatë kishte forca të policisë, për të shmangur ndonjë incident në sallën e gjyqit.

Vrasja e militantit demokrat Artan Zeka

Mëngjesin e së premtes, në fshatin Qerret, Katund i Ri në Durrës, një breshëri automatiku tronditi zonën. Artan Zeka, i njohur në fshat si aktivist i Partisë Demokratike u qëllua me armë, për të gjetur vdekjen pak orë më vonë në spitalin e Durrësit. Të dhënat e para të ngjarjes tregonin për një sherr për shkak të simboleve të partive. Zeka, babai i 3 fëmijëve, kishte ngjitur disa flamuj të PD-së, por sipas tij Balla kishte kërcënuar se do t’ia hiqte. Por, ndërsa Zeka njihej si vullnetar i PD-së, për Skënder Ballën, asnjë e dhënë nuk tregonte se ai ishte militant i PS-së. Në dëshminë e dhënë nga autori, ai ishte rrahur papritur nga një grup personash, mes tyre dhe Artan Zeka dhe i ati, të cilët i qëlluan dhe makinën. Nga ana e tij, babai i viktimës deklaroi në polici se sherr kishte pasur, për shkak se Balla i kërcënoi se do i shkulte flamurët nga vendi ku u vendosën, por duke mohuar dhunën. Partia Demokratike, menjëherë pas ngjarjes, akuzoi forcat e majta si autorë të krimit, ndonëse PS-ja reagoi duke thënë se Skënder Balla nuk ishte anëtar apo militant i saj. Ditën e ceremonisë mortore, Zeka u përcoll për në banesën e fundit, mbështjellë me flamurin e PD-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›