E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Qytetarët edhe tri ditë kohë të aplikojnë

 

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, bëri të ditur dje se qytetarët do të kenë mundësi të aplikojnë për t’u pajisur me kartat e identitetit deri në 18 qershor. Ky vendim i fundit i ministrisë vjen pas garancive që ka dhënë kompania e prodhimit të kartave se mund t’i prodhojë ato edhe për 9 ditë nga momenti i aplikimit. “Për t’u dhënë edhe një mundësi të fundit të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk e kanë një pasaportë të vlefshme për të udhëtuar për jashtë shtetit, sapo u arrit një marrëveshje me kompaninë ‘ALEAT’ për të shtyrë afatin e aplikimit edhe tri ditë të tjera, që do të thotë se ora 22:00 e mbrëmjes së 18 qershorit do të jetë afati i fundit për aplikim. Kjo, nisur nga koha e mjaftueshme për prodhimin e letërnjoftimit elektronik, dhe kapacitetet prodhuese që ofron kompania ‘ALEAT’”, u shpreh ministri Nishani. Duke iu referuar shifrave të aplikuesve, kreu i këtij dikasteri bëri të ditur se deri tani kanë aplikuar 1.362.000 shtetas, ndërkohë që rreth 950 mijë prej tyre i kanë tërhequr tashmë. Nishani tha se procesi i shpërndarjes së kartave do të vazhdojë deri ditën e zgjedhjeve, ndërkohë që u ka bërë thirrje qytetarëve që të tërheqin kartat. “Procesi i aplikimit ka filluar në të gjithë vendin, qoftë edhe në zonën më të largët. Gjatë gjithë kësaj kohe edhe në komunat ku procesi filloi me vonesë, janë marrë masat prej më se një muaji dhe janë dyfishuar kapacitetet. Gjithashtu ju informoj se sot kapacitetet për shpërndarjen e letërnjoftimeve elektronike janë deri në 40 mijë të tilla në ditë”, tha më tej Nishani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›