E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjeologu kundërshtoi ndërtimin e pallatit

 

GJIROKASTER – Gjeologu Thanas Llahana dha dëshminë e tij në gjykatë për dosjen e pallatit të shembur vitin e shkuar në Gjirokastër, ku humbën jetën 3 vetë. Në dëshminë e cila zgjati vetëm 5 minuta, Llahana u përqendrua te mënyra e studimit të terrenit në zonën ku do të ndërtohej godina 7-katëshe. Ai ka dëshmuar me fakte konkrete dhe me shkresa, të cilat janë të administruara, si nga organi i akuzës dhe nga mbrojtësi i tij legal, se kishte dhënë verdiktin për paqëndrueshmëri të terrenit ku pretendohej të lartësohej godina, përbri asaj që u rrëzua. Si inxhinier specialist gjeolog, Thanas Llahana, ka shpjeguar para trupit gjykues të kryesuar nga Desard Avdulaj, se studimi i kryer në terrenin përkatës, kishte përbërje shtufore dhe e paqëndrueshme çka ishte e formuluar dhe në raportin brenda dosjes që u administrua nga Prokuroria e Gjirokastrës një ditë pas tragjedisë. Llahana ka qenë i vetmi person, i cili ka pasur të shënuar të zezë mbi të bardhë, se terreni ku pretendohej të ngrihej godina 7-katëshe ishte i paqëndrueshëm dhe për këtë ai ka sugjeruar marrjen e masave nga firma e ndërtimit. Pasi ka dhënë shpjegimet e tij në seancën e djeshme gjyqësore, pala mbrojtëse e të akuzuarve ka kërkuar nga trupi gjykues dëshminë e ekspertëve, të cilët u morën me administrimin e fakteve në terren pas tragjedisë për të zbardhur çështjen. Grupi i ekspertëve, i përbërë nga katër persona, pritet të japë dëshminë në seancën e radhës që do të zhvillohet pas 15 ditëve. Në raportin e nxjerrë nga ekspertët në muajin janar të vitit të kaluar, dy muaj e gjysmë pas tragjedisë, e përjashtonin nga përgjegjësia rolin e gjeologut Thanas Llahana. Në referencën e paraqitur në KRRT-në e Bashkisë së Gjirokastrës lidhur me objektin që do të ndërtohej, Llahana kishte përcjellë objeksionet e tij dhe mënyrat e ndërhyrjes në bazamentin e tokës në thellësi.                   p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›