METE: Opozita po godet biznesin, lidhjet familjare nuk janë arsye për të përjashtuar investitorët
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Ekonomise dhe Energjitikës, Durim Kraja, në një deklaratë për shtyp sqaron dje se nuk ka asnjë shkelje të ligjit apo favore kundrejt familjarëve të ministres së Integrimit, Majlinda Bregu për dhënien e lejes së ndërtimit e hidrocentraleve mbi lumin Zalli i Okshtunit. Sipas Krajës, lidhjet familjare të drejtuesve të kompanive që kanë fituar konçensionet energjetike, nuk kanë qenë arsye për t’i përjashtuar ata nga gara. Zyrtari i Ministrisë së Ekonomisë, nënvizoi se nuk ka asnjë shkelje të ligjit në lëshimin e koncesioneve. Sipas tij, gjithçka është operuar në përputhje me ligjin dhe kuadrin ligjor në tërësi. “Dua të bëj transparencën në lidhje me projektin konçensionar të atakuar shumë ditët e fundit nga opozita, projektin e Zallit të Okshtunit, në lidhje me përfshirjen në të të kunatit të ministrises së Integrimit, zonjës Bregu. Dëshiroj të ndalem dhe të hedh dritë në aspektin teknik dhe ligjor të këtij projekti konçensionar, pasi kjo është detyra jonë për të cilën ne punojmë, të respektojmë ligjin, të mbrojmë dhe promovojmë biznesin dhe sipërmarrjen, të trajtojmë në mënyrë të barabartë, të mos diskriminojmë asnjë subjekt aksion mbajtës pavarësisht kombësisë, rracës, gjinisë, krushqisë. Dua të siguroj opinionin publik dhe gjithë ato që hedhin dyshime lidhur me ligjshmërinë e dhënies së këtij koncensioni se procedura e ndjekur është në respekt të plotë me kuadrin ligjor në fuqi, garanton biznesin dhe në të njëjtën kohë autoritetin publik për suksesin e saj. Procedura e dhënies me konçension të këtij projekti konçensionar në hidroenergji ka filluar në muajin korrik të vitit 2008 me VKM përcaktës, me anë të së cilit është përcaktuar autoritetin kontraktor dhe i ka dhënë bonusin kompanisë, e cila ka përvijuar propozimin, kontretisht kompanisë Albani me tre pikë përqindje në total, dhe ka vazhduar me procedurë të hapur konkurruese, duke garantuar transparencën dhe konkurrueshmërinë përgjatë këtij viti, duke përfunduar me shpalljen fitues të bashkimit të përkohshëm të gjashtë shoqërive shqiptare dhe miratimin e kontratës koncesionare nga Këshilli i Ministrave në datën 11 qershor 2009”- u shpreh Kraja.
Lidhur me pretendimin tjetër të opozitës se kompania e kunatit të ministres Bregu nuk ka përvojë në energjetikë pasi është krijuara në vitin 2008, Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, Durim Kraja tha se koncesioni për HEC-in nuk i është dhënë vetëm kësaj kompanie, por së bashku me 5 të tjera. “Bashkimi i përkohshëm ka plotësuar të gjitha kërkesat dhe kriteret e vlerësimit, teknike, ekonomike dhe financiare, të përcaktuara në dokumentet e pjesëmarrjes në garë. Shoqëritë fituese të këtij projekti në garë dhe që kanë lidhur kontratën më pas janë: Shoqëria 2 T shpk, shoqëria Mix Tecnic shpk, shoqëria Junion Distribution Service Albanian sh.pk, Albadi shpk, ME-AJ Energy shpk, Perxhola shpk. Dua të theksoj se koncesionet për ndërtimin e hidrocentraleve janë investime tërësisht private, në të cilat investitori mban riskun e projektimit, dizenjimit të veprës, të ndërtimit, të operimit, të ri-investimit të teknologjisë, dhe të transferimit përsëri pas 35 vjetësh në favor të publikut.
Nuk përbën favor, por një obligim të madh të ndërmarrë, që parashikon dhe penalitete të rënda në rast të mossuksesit” - u shpreh më tej, Kraja.
Ai kujtoi gjithashtu se opozita po përdor koncesionet, për të goditur biznesin, veprim ky plotësisht i padrejtë. “Biznesi po sulmohet dhe kjo nuk është e drejtë. Në qoftë se do të bëjmë një analizë të gjithë koncesioneve që janë dhënë nga METE, nëse do të bëjmë një analizë të shoqërive pjesëmarrëse në to, do të jeni të sigurt që do të gjejmë kushërinj, kunetër, shokë, të afërm, farefis të secilit nga ne, opozitë apo pozitë. Por, ky nuk është qëllimi për të cilin ne jemi këtu sot dhe për të cilin ne ju garantojmë se japim maksimumin e transparencës dhe maksimumin e konkurrueshmërisë. Investitorët nuk kanë ngjyrë. Ne nuk analizojmë biografi, por vlerësojmë kapacitete teknike, ekonomike dhe financiare, dhe aftësi sipërmarrëse, që është e rëndësishme në projekte të tilla koncesionare si projektet në hidro-energji”- nënvizoi sekretari i Përgjithshëm i METE-s, Durim Kraja.
L.Q