Durrës, zbulohen 10 kile drogë para nisjes për trafik në Itali
TIRANE - Personi i arrestuar në Durrës me 14 kilogramë hashash, më 22 janar 2010 teksa po trafikonte lëndën narkotike në Itali, "pendohet" para hetuesve të Krimeve të Rënda dhe pranon se do të kryente transportimin e marihuanës duke përfituar si pagesë 300 euro për çdo kilogram të ngarkesës. Flamur Xeka, i arrestuar më 22 janar 2010 në portin e Durrësit me 14 kg hashash në makinë, është marrë në pyetje nga Prokuroria e cila ndërkohë ka zbuluar edhe pronarin e drogës, që dyshohet të jetë shtetasi E.A. transportuesi i lëndës narkotike fillimisht kishte mohuar se kishte dijeni për drogën e gjetur në mjetin "Fiat Punto" me targa BG820XV, por më pas është "penduar" duke pranuar implikimin e tij në transportimin e drogës në Itali. I arrestuari ka shpjeguar se sipas marrëveshjes paraprake, pas trafikimit përtej detit, droga do të shitej me një çmim prej 2 mijë euro për kilogram. Ndërkohë menjëherë sapo Prokuroria ka mësuar emrin e pronarit të drogës, shtetasin E. A, në banesën e tij është bërë kontroll ku janë gjetur 10 kilogramë hashash të tjera që ishin bërë gati për t'u nisur për trafikim në drejtim të Italisë. Menjëherë pas sekuestrimit të drogës, Prokuroria ka ngritur akuzë për trafikim narkotikësh në bashkëpunim ndaj dy personave. Sipas hetimeve, i dyshuari si korrier i lëndës narkotike është rezident në Itali, ndërsa po mbahet në gjendje arresti në Tiranë.