E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polici i burgut me heroinë



RROGOZHINE

Prangoset polici që dërgonte drogë në qelitë e Rrogozhinës. Quhet Ilir Sofka, nga qyteti i Durrësit, i cili prej më tepër se një viti punonte si gardian në këtë institucion. Burime nga ky burg pohojnë se arrestimi i 30 vjeçarit Sofka është kryer rreth orës 15:00 të së mërkurës, teksa ky po hynte në burg për të marrë shërbimin. Polici me origjinë nga Kukësi dhe banues në lagjen tetë të qytetit të Durrësit ishte ndjekur që nga banesa e vet prej agjentëve të Antidrogës së komisariatit të Durrësit. Policët e Antidrogës kanë vënë në dijeni autoritetet e burgut, të cilët në momentin që polici është paraqitur për të marrë detyrën, i kanë pohuar se do i bënin një kontroll fizik, pasi rregullorja e re parashikonte që të gjithë punonjësit e policisë dhe administrata e institucionit do i nënshtrohej një kontrolli të tillë. Ndërkohë, efektivët e Antidrogës së burgut e kanë justifikuar praninë e tyre në burg gjoja për verifikimin e një të dënuari. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi prej 3.35 gramë lënde narkotike, e dyshuar si Cannabis Sativa dhe 3.4 gramë lëndë e dyshuar si heroine. Mes xhepave të gardianit, Antidroga sekuestroi edhe shumën e parave prej 9 mijë lekësh të rinj. Menjëherë pas kësaj, në burg mbërritën edhe efektivët e SHKB-së të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët nisën hetimin për këtë çështje. Burime nga ky burg pohojnë se arrestimi i gardianit u bë në bazë të informacioneve që policia e Durrësit kishte siguruar në rrugë operative. Prej kohësh 30-vjeçari dyshohej se ushtronte aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike në burgun e Rrogozhinës. Policia kishte filluar të ngrinte dyshimet, pasi në disa qeli të burgut të Rrogozhinës vinte erë kanabis, fenomen i cili dallohej pas orës 12 të natës, kohë në të cilën bie edhe vigjilenca e gardianëve. Hetuesit thanë se "te disa të burgosur të tjerë vihej re një gjendje e pazakontë euforie, çka solli dyshimet se disa të dënuar përdornin drogë". Mjaftuan këto sinjale dhe Antidroga e Durrësit nisi një hetim të gjerë, gjë që solli edhe arrestimin e parë. Burime nga hetimi i kësaj çështjeje pohojnë se gardiani i arrestuar dyshohet të jetë një shpërndarës i sasive të vogla të narkotikëve, ndërsa aktualisht ai po merret në pyetje me qëllim gjetjen e furnizuesit të burgut të Rrogozhinës me heroinë dhe kanabis. Po kështu burime nga hetimi pohojnë se tashmë kanë zbardhur mënyrën sesi ky gardian e dërgonte narkotikun në qelitë e burgut. Sipas tyre, ai punonte si gardian në rrethimin e burgut, duke bërë roje në kullat sipër sektorëve të qelive dhe fushave të ajrimit të të burgosurve. Sipas hetuesve ai e hidhte narkotikun përtokë ku e merrnin të dënuarit dhe paraburgosurit që e kishin porositur atë, të cilët e konsumonin në qeli pas mesnate. Aktualisht dosja në ngarkim të gardianit është përcjellë në Prokurorinë e Durrësit, ku hetuesit kanë depozituar akuzën e "prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike". Paraditen e sotme pritet që ai të përcillet në gjykatë, ku do i komunikohet akuza nga gjyqtarja e gatshme, ndërsa pritet që Prokuroria të kërkojë vendosjen e masës së sigurisë për të.

Sofka punonte si gardian prej dy vitesh

DURRëS - Ilir Sofka pun-onte prej rreth dy vitesh gardian në burgun e Rrogozhinës. Referuar dosjes së tij të punës, Sofka kishte mbaruar shkollën e mesme dhe asnjëherë më parë nuk kishte pasur precedentë penalë. Po kështu edhe në burgun e Rrogozhinës ai njihej si njeri pa probleme në punë, pasi nuk kishte marrë asnjë të mëparshme. Burime nga burgu pohojnë se Sofka ishte punonjës i rolit bazë dhe se prej një viti kryente shërbimin në rrethimin e burgut, duke bërë rojë në murin rreth sektorëve të qelive dhe fushave të ajrimit të këtij burgu. Pikërisht ndërsa kryente shërbimin në rrethimin e burgut, Sofka dyshohet se në momentin kur kolegët e tij dhe të burgosurit e humbnin vëmendjen, ky e hidhte narkotikun poshtë ku e merrnin porositësit. Ende nuk dihet nëse gardiani e ka kryer më parë këtë veprim, ndërsa burime nga hetimi pohojnë se ai është prangosur në bazë të informacioneve të mbërritura në rrugë operative në policinë e Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›