Plagoset me kaçavidë, adoleshenti në bilardo
TIRANE - Një 17-vjeçar është arrestuar mbrëmjen e djeshme nga efektivat e komisariatit nr.6 të Tiranës, pasi ka plagosur një bashkëmoshatar të tij, të cilit dyshohet se i kishte ngacmuar motrën e mitur. Ngjarja ndodhi në ambientet e një bilardoje në fshatin Yrshek, të Komunës Kashar në Tiranë. Sipas policisë, dy adoleshentët, të cilët kishin debatuar edhe më parë, pasi autori i ngacmonte motrën të dëmtuarit, janë përballur në bilardo rreth orës 20:00. Fillimisht kanë nisur të fyjnë njëri-tjetrin e më pas kërcënimet. Policia tha se 17-vjeçari Edmond S., i ka kërkuar bashkëmoshatarit të tij, Jaçe C., që ta linte të qetë motrën e tij të mitur, pasi ajo ishte ankuar vazhdimisht në shtëpi për ngacmimet që i krijonte në rrugë adoleshenti. Pas kësaj i dyshuari Jaçe C ka nxjerrë nga xhepi një kaçavidë me të cilën i është drejtuar të dëmtuarit Edmond S. dhe e ka qëlluar disa herë bark. Autori është përpjekur të largohet nga vendi i ngjarjes, por është ndaluar menjëherë nga patrulla e policisë. e cila ndodhej vetëm disa metra larg bilardos. Ai është arrestuar me akuzën e "plagosjes së rëndë me dashje", ndërsa i dëmtuari është dërguar në Spitalin Ushtarak, ku aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. e.d