E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, zjarri shkrumbon magazinat e dyshekëve

Pronari i fabrikës dhe magazinave është kushëriri i parë i Fatos Nanos. Ekspertët: Dyshojmë për zjarr aksidental

DURRËS- Një zjarr i fuqishëm ka shkrumbuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm një fabrikë e prodhimit të dyshekëve në zonën e Kavajës. Përveç fabrikës, flakët kanë përfshirë edhe dy magazinat që kanë po të njëjtin pronar, shtetasin Gjergj Krajli, i cili është i afërm i ish-kryeministrit Fatos Nano.

Burimet zyrtare të zjarrfikëses në Durrës pohuan se kanë marrë një telefonatë në orën 04.00 të mëngjesit që i ka sinjalizuar për zjarrin. Frika më e madhe ishte sepse në afërsi të flakëve ndodhej një cisternë gazi, e cila po të përfshihej nga flakët, do të sillte pasoja të rënda për zonën rreth e qark. Nga Durrësi dhe pak më pas nga Tirana janë nisur disa zjarrfikëse, të cilat kanë ndihmuar për vënien nën kontroll të zjarrit të befasishëm që ka shkrumbuar magazinat e fabrikës së dyshekëve në qytetin e Kavajës. Bashkia e Kavajës ka pohuar se zjarri ka shkrumbuar pronat e Gjergj Krajlit, djalit të tezes së Fatos Nanos.

Zjarri mësohet se ka djegur tërësisht dy magazina të kësaj fabrike të prodhimit të dyshekëve, e cila kishte aktivitet disavjeçar në Kavajë. Sipas të dhënave të marra në qarqet lokale të këtij qyteti, ky është zjarri i dytë brenda dy viteve që shkrumbon këtë fabrikë. Ekspertët janë të mendimit se zjarri ka qene aksidental. Nga burime konfidenciale, mendohet se policia dyshon dhe se po ndjek pistën e djegies së qëllimshme.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›