Pukë, mungon uji i pijshëm për 5 mijë banorë
PUKË- Prej dy javësh, banorët e qytetit të Pukës janë pa ujë të pijshëm. Amortizimi i stacionit të pompave dhe rrjetit shpërndarës të ujit të pijshëm në qytetin e Pukës ka sjellë mosfurnizim normal të tyre me këtë element jetik. Mungesa e ujit të pijshëm në qytetin me rreth 5000 banorë është bërë e ndjeshme ku sipas banorëve të Pukës, uji u vjen vetëm në mëngjes, 20 minuta deri një orë në rastin më të mirë dhe më pas nuk ka ujë. Shkak për këtë situatë është bërë amortizimi i madh i stacionit të pompave dhe rrjetit shpërndarës të ujit të pijshëm, pasi ka rreth 40 vjet që nuk është ndërhyrë në rikonstruksionin e tij. Kjo ka bërë që ndërmarrja e ujësjellësit në Pukë të ndërhyjë me riparime të vogla të defekteve, pasi nuk ka mundësi financiare. Sipas nënprefektit të Pukës, Dedë Përshpali, është planifikuar një investim madhor për rikonstruksionin e plotë të ujësjellësit të Pukës por bashkia nuk ka dhënë leje.