Grabitet me armë pika e lojërave të fatit
Autorët me armë dhe me kapele marrin 6.5 milionë lekë pasi kërcënojnë rojen
TIRANE- Grabitet me armë pika e lojërave të fatit pranë një blloku pallatesh në rrugën "Don Bosko", në kryeqytet. Autorët marrin nga kjo pikë lojërash fati një shumë prej 6.5 milionë lekë të vjetra.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e të shtunës rreth orës 8:00, kur dy persona të armatosur me pistoletë dhe me kapele me strehë, detyruan punonjësin e sigurisë dhe atë të pikës së lojërave të fatit t'iu paguajnjë gjithë shumën e parave të xhiros të realizuar nga punonjësit me klientë të ndryshëm, gjatë orëve të vona të të premtes duke u gdhirë dita e shtunë.
Grabitja është bërë e ditur për "Shekullin", nga burime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës të cilët kanë pohuar se për këtë ngjarje kanë disa persona të dyshuar emrat e të cilëve ende nuk mund t'i bëjnë të ditur.
Sipas të njëjtave burime, personat janë shfaqur në mënyrë të papritur përpara lokalit ku ndodhet pika e lojërave të fatit dhe menjëherë kanë izoluar rojen duke e kërcënuar me një pistoletë "TT", që mbante në dorë një prej të rinjve.
Personi tjetër, sipas burimeve të policisë që i referohen deklarimit të rojes së objektit, ka hyrë në ambientet e lokalit dhe ka mundur të marrë që andej shumën e majme të parave në një qese.
Më pas autorët janë larguar me shpejtësi përmes një blloku pallatesh që ndodhet përballë vendit të ngjarjes. Policia që është njoftuar për ngjarjen, ka mbërritur aty, duke mbledhur dëshmitë e ndryshme të personave që kishin mundur të dallonin apo kuptonin ndonjë element identifikues të autorëve.
Në vendin e ngjarjes, ekspertët kanë mundur të mbledhin në vendin e ngjarjes gjurmë të ndryshme kryesisht daktiloskopike me qëllim krahasimin e tyre në laborator. Dëshmia e rojes dhe e një punonjësi të pikës së lojërave të fatit, janë administruar nga policia, ndërsa në bazë të të dhënave të ofruara prej tyre policia ka nisur verifikimet përkatëse për të zbuluar dhe arrestuar autorët e mundshëm të krimit.
Specialistët e hetimit të krimeve kundër pronës dhe ata të zyrës së grabitjeve me armë, kanë shoqëruar rreth 7 persona të dyshuar në kryeqytet, ndërsa më pas janë lënë të lirë pas marrjes së deklarimeve rutinë ndaj tyre.
6.5 milionë lekë grabiten në një sallë lojërash fati, persona ende të paidentifikuar nga policia, mëngjesin e të shtunës në rrugën "Don Bosko".
7 persona të dyshuar janë shoqëruar nga specialistët e hetimit të krimeve pas grabitjes me armë të denoncuar, më pas ata janë lënë të lirë pas marrjes së deklarimeve.
2 ishin personat, që dyshohet se hynë në ambientet e pikës së lojërave të fatit në kryeqytet të shtunën,
duke marrë që andej një sasi të konsiderueshme parash