E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët votojnë PASOK-un


Një udhëtim i gjatë në Greqi në fundjavën e zgjedhjeve. Nga Korça në Selanik, nga Selaniku në Athinë e nga Athina në ishullin e famshëm Tinos ku besimtarët i faleshin kishës së Shën Mërisë dhe pastaj sërish në Korçë. Një aventurë me policë grekë, emigrantë shqiptarë që votojnë, ankesave për krizë ekonomike dhe me një restorant shqiptar në majë të malit që ftonte në shqip udhëtarët për të ngrënë paçe dhe pilaf


Duke u gdhirë e shtuna, polici shqiptar i shërbimit në doganën e Kapshticës, mbërthyer deri në fyt me uniformë, është shumë kureshtar të dijë se për cilin do të votonin pasagjerët e BENZ-it AMG me xhama të zinj. Për të zgjedhjet në Greqi ishin fare të thjeshta: grekët duhet të votonin për Sali Berishën që në Greqi quhej Karamanlis apo për Edi Ramën, që në greqisht quhej Papandreu. Një shaka e pafajshme me të, e kishte bërë të besonte se në makinë ndodheshin katër vetë nga ata 24 mijë shqiptarë të regjistruar me të drejtë vote në zgje
dhjet e 4 tetorit. Ishte gjynah t´i shpjegohej që ajo çfarë i ishte thënë më parë ishte shaka dhe jo e tallur, sidomos mbas një zilie pothuaj të hapur që ai nuk e fshihte kur mendonte se katër pasagjerët e BENZ-it, kishin rregulluar kartat dhe ishin bërë

evropianë nga Greqia. "Tre herë kam qenë dhe unë andej, por nuk më eci. Tani jam rregulluar këtu në doganë, ku dhe nëse nuk rrjedh, pikon të paktën",- na tha ai duke parë me të njëjtin admirim hekurat vetëtitës që kishin prodhuar inxhinierët gjermanë, tashmë në shërbim të shqiptarëve që ende kanë kultin e BENZ-it, mundësisht, edhe me cilindratë të madhe. Trau i doganës greke hapet pak më me respekt.

Pak kilometra larg kufirit, një postbllok ushtarak në një udhëkryq me një lapidar që kujton viktima të Luftës së Dytë Botërore, rikontrollon sërish pasaportat. Edhe viktimat e përkujtuara në lapidar janë vrarë nga gjermanët, por jo për këtë arsye, ushtarët, me mirësjellje, bëjnë një tjetër koment dashamirës për makinën. "Sa litra harxhon", pyesin. "Për atë mos pyet, duhet të kesh një autobot nga prapa. Kjo makinë u duhej shitur arabëve dhe jo në Shqipëri",- u përgjigjën. Qeshin ushtarët. Qeshin dhe dy nga pasagjerët korçarë që flasin greqisht sepse bëjnë biznes me grekët. Bashkëbisedimi i përkthyer në shqip, nuk bën të qeshin dy pasagjerët e tjerë. Por të katërt bashkë, kishin një shqetësim normal: a mund të arrihej në karburantin nja 50 kilometra më tutje për t´u furnizuar? Megjithatë, në kohën kur dukej se llamba e rezervës së makinës do të digjej, stacioni i furnizimit u arrit.

Deri aty, nuk kishte asnjë shenjë se vendi do të gdhihej ditën tjetër në ditën e votimit. Asnjë poster, asnjë flamur partiak, asnjë simbol që të të kujtonte, fjala vjen, rrugën e Kamzës në Tiranë, që për zgjedhjet e 28 qershorit e këtej, ishte bërë e gjitha blu. Me më shumë postera të Berishës së buzëqeshur që premtonte të ardhmen, sesa pemë dhe shtylla rrugës. Grekët hiç asgjë të këtij lloji. "Ata e kanë pranuar që janë në krizë ekonomike dhe cilado nga partitë do të hidhte para të dukshme në fushatë, me siguri do të krijonte efektin e kundërt tek zgjedhësit", -na shpjegojnë. I të njëjtit mendim ishte dhe Plaku, siç e quanin korçarët pronarin e stacionit të furnizimit. "Ju jeni mirë, ju nuk keni krizë, zoti ju ruajtë dhe nesër, se ne kemi mbaruar me të gjitha",- thoshte Plaku. Nuk u kuptua se nga e kishte këtë bindje, por natyrisht, nëse do të dinte sesa para ishin hedhur në Kamëz nga PD-ja, për betejën figurative, ai do të kishte absolutisht të drejtë.

Tangërlliku i drejtpërdrejtë shqiptar, e bëri drejtuesin e makinës të kërkonte të paguante me një kartmonedhë prej 500 euro, thjesht për ta bërë Plakun që të rikujtonte sërish krizën në vendin e tij. "Nuk kam ta thyej. Eshtë ende herët dhe nuk kam bërë fare xhiro",- i dha ai një përmasë edhe më të thellë tangërllikut shqiptar që vinte nga një vend që nuk e njeh krizën ekonomike, sipas statistikave shqiptare. Nja 50 vjet më parë, Nikita Hrushovi i sovjetikëve kishte hedhur një parullë shumë popullore në atdheun e sovjetëve: të arrijmë dhe të tejkalojmë SHBA-në! Doktor Berisha në Tiranë, para e pas zgjedhjeve, ka premtuar që për katër vjet, Shqipëria do të arrijë dhe tejkalojë edhe gjashtë vende të BE-së për të ardhurat për frymë. "Sikur t´ia kalojmë dhe Greqisë, ndoshta Doktori e ka pasur fjalën edhe për Greqinë",- u tha gjysmë me seriozitet kur u nisëm sërish për udhë. Gjysmën tjetër të seriozitetit e kishim të pamundur t´ia afronim deklaratës euforike të Doktorit shqiptar.

Drejt ishullit të shenjtë
Në hartë dukej si pakogjë. Plani ishte që nga Selaniku të udhëtonim drejt Athinës dhe që aty, nga porti Rafino të merrej trageti për në Tinos, ishulli ku ndodhej kisha e Virgjëreshës Mari. Ne ishim shoqërues të çiftit të shqiptarëve që e kishin ndarë mendjen të luteshin aty: udhëtimin e tyre shpirtëror e ndanin me ne të tjerët që po bënim turistin nga një vend të asociiuar me Evropën, por ende jo evropian. Por ajo që në hartë ishte pak, në rrugë, pavarësisht se autostradë, ishte një ankth i vërtetë. Nisja u la sërish në mesnatë. Biletat e tragetit u rezervuan me telefon dhe nuk mbetej gjë tjetër veç të rimbushej sërish plot me benzinë serbatori i BENZ-it të pangopur. Ishte projektuar dhe prodhuar për qytetarë nga vende që nuk njohin krizë. Sipas statistikave zyrtare, natyrisht, ai duhet t´iu shërbente shqiptarëve, që nuk e njohin krizën. Por pikërisht ky fakt, e bëri makinën mollë sherri me policinë greke.

Madje jo vetëm me policinë rrugore, sepse në një dalje autostrade, mbasi ishin paguar dy euro e gjysmë taksë, tre polici të ndryshme bënë shenjën e "Stop"-it. Dalloheshin nga uniformat e ndryshme. Ishin krejt të ngeshëm, por njëri nga ata ishte mjaft nervoz. Dhe nervozi nuk e zgjati shumë. Për një dokument të vetëm të rregullt të makinës dhe që u gjet me vonesë dhe iu dha me vonesë në dorë, firmosi pa iu dridhur dora një gjobë marramendëse prej 1050 eurosh. Kur pa dokumentin e munguar fillimisht, tha se e kishte te pamundur ta kthente mbrapsht gjobën. Çuditërisht polici tjetër me uniformë ndryshe ndërhyri në favorin tonë: ti je racist, një greku nuk do të guxoje kurrë t´ia vije këtë gjobë, por prit edhe pak, sot fiton Papandreu dhe këto punë mbyllen. Pastaj sherri u transferua mes tyre, sipas modelit shqiptaro-grek të sherrit për politikë, domethënë me të bërtitura. Për ne që nuk kuptonim asgjë, nuk kishte kohë dhe nerva të përkthente njeri. E bënë mbasi nisëm udhëtimin dhe mësuam se gjoba kishte zbritur në 450 euro, nga të cilat 400 nuk do të paguheshin nëse brenda 10 ditësh do të dorëzohej në polici dokumenti që u gjet me vonesë.

Shqiptarët në ishullin e shenjtë
Nga Rafino, porti në periferi të Athinës, në drejtim të ishullit Tinos, kishte disa variante për të udhëtuar: me traget të ngadaltë që kushtonte pak dhe me traget të shpejtë që kushtonte shtrenjtë. Plot 80 euro për person dhe kishe biletën në dorë, në të cilën ishte shkruar dhe se brenda çmimit përfshihej vetëm udhëtimi dhe asgjë tjetër. "Tre vjet më parë ishte 35 euro, pastaj e bënë 50 dhe tani 80 euro",- ankohet dhe njëkohësisht na sqaron një grek që priste të merrte biletën e tij. E shoqja thotë se po të rritej dhe më shumë çmimi, ia vlente të niseshin me not. "Atë do të bëjmë, por sot duhet të nisemi patjetër",- përgjigjet ai, por ne rishtaz nuk kuptojmë gjë. Na thonë që çifti po shkonte të lutej në Kishë mbas divorcit të vajzës së tyre. Mbasi kishin martuar vajzën ata kishin shitur shtëpinë për të marrë një më të vogël dhe nëse ajo iu rikthehej në derë, kishin probleme serioze me strehimin, na thonë.

Pothuaj dy orë më pas, trageti i shpejtë kishte ndaluar në portin e vogël të ishullit. Kisha e Shën Mërisë dukej nga larg, e gjitha e ndërtuar me mermer të bardhë mbi kodrën dominuese të ishullit. Përreth saj, shtëpitë e vogla të bardha të banorëve të ishullit, ngjanin edhe më të vogla. Me rreth pesë mijë banorë jashtë sezonit veror, ishulli sidomos në ditët e festave fetare, pothuaj 100 fishohej si numër. Dukej e pabesueshme se ku mund të qëndronin gjithë ata njerëz, në një kohë që nuk duhej shumë mund që të bindeshe, që po të hidhje një gur nga porti, ai me siguri do të binte në ujë, në anën tjetër të ishullit.

Shqiptaren e parë e gjetëm pikërisht në një nga dyqanet anës rrugës. Na tha se punonte këtu vetëm gjatë sezonit të verës dhe pastaj kthehej në Athinë ku jetonte me të shoqin. Më parë, në Pogradec, ai quhej Mustafa, kurse në ishull, ishte pagëzuar me emrin Jorgo. "Si Papandreu. PASOK-u do të fitojë. Do t´i japë një dorë dhe Edi Ramës në Shqipëri pastaj",- qeshi ajo. Edhe po të mos fliste shqip, do të dallohej që ishte "dora jonë" nga mungesa e trishtuar e shumicës së dhëmbëve. Po i njëjti detaj përpara gjuhës së folur, na bëri që më pas të takonim tre bashkatdhetarët tanë. Pyetjes se me çfarë merreshin në ishull, iu përgjigjën në të njëjtën mënyrë: "Ja ashtu, hiç, kot!" Por vetëm gjysmë ore më vonë, njëri nga ata që quhej Durim nisi të bënte filozofin duke shpjeguar ndryshimin dhe nuancat e fjalës vjedhje: "Vjedhje është të hysh në shtëpinë e tjetrit, t´i marrësh nonji gjo.

Por kur hyn në shtet dhe vjedh nonji bankë a dyqon, nuk është mo vjedhje". Nuk kishim shumë durim të dëgjonim Durimin që habitej me ne sesi nuk arrinim ta kuptonim një gjë të tillë që ishte aq e qartë. Ai vetë nuk i kishte kartat. Vëllai i tij, po. Ai kishte shkuar nga Përmeti në Greqi që në vitin 1991, duke braktisur shërbimin ushtarak. Ishte martuar me një greke dhe kishte marrë dhe pasaportën. Shpjegimi i tij për votën që do të hidhte ishte mjaft i thjeshtë. "Mjaft mo me Karamanlisin. Ai i boni lekët e veta, Papandreu ka gjashtë vjet në opozitë, ndaj duhet t´i fitojë zgjedhjet",- thoshte ai me dialektin e vendlindjes së tij, Tiranës, por me një theks të fortë grek. Edhe ai ankohej për çmimet e rritura dhe kujtonte shpesh kohën e artë të dhrahmisë sa pa dalë euroja. "Keq shumë jemi",- thoshte..

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›