E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet i arratisuri nga Burgu i Rrogozhinës


Një i arratisur nga Burgu i Rrogozhinës është ekstraduar nga Gjeneva e Zvicrës për të vuajtur dënimin që ka marrë në Shqipëri. Dashamir Banushi, 31 vjeç, nga Elbasani pas arratisjes së tij ishte larguar jashtë vendit për t'i shpëtuar autoriteteve të drejtësisë, por Interpol Tirana e ka ekstraduar pas arrestimit të këtij të fundit në Zvicër. Lajmi për ekstradimin e Banushit është konfirmuar dje nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ku thuhet se pas arratisjes, i dënuari, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas burimeve të policisë, Dashamir Banushi është dënuar me 8 vjet heqje lirie për shfrytëzim prostitucioni. Banushi, kishte shfrytëzuar një leje që kishin dhënë autoritetet e burgut të Rrogozhinës, për të kryer arratisjen nga vendi i vuajtjes së dënimit. Lidhur me largimin e 31- vjeçarit pa mbaruar dënimin që kishte marrë, Gjykata e Kavajës, në korrik të vitit 2006 ka dhënë ndaj tij masën e sigurisë "arrest me burg" për veprën penale të "largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit". I ekstraduari është arrestuar fillimisht në gusht të vitit 2003, për akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›