E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, policia bllokon katër gomone

Tre gomone italiane kishin hyrë në ujërat shqiptare pa njoftuar. Policia: Gjobitëm gomonet dhe i detyruam të largohen


VLORË- Policia kufitare kap katër gomone në bregdetin shqiptar, tre italiane dhe një shqiptare. Aksioni ka qenë i shpejtë dhe i fshehtë, ndërsa morën pjesë katër mjete lundruese dy skafe dhe dy gomone. Sipas burimeve të policisë kufitare, që në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në bazë të një informacioni të marrë nga shërbimet në terren, konfirmohej se janë vërejtur mjete lundruese në det. Menjëherë pas njoftimit ka filluar aksioni për kontrollin e vijës bregdetare nga zona e Orikumit, Grykëderdhja e Vjosës, Karaburun dhe më tej në zonën e Dhërmiut. Në aksion u angazhuan dy skafe motovedeta, si dhe dy gomone të policisë kufitare. Po kështu pjesë e tij kanë qenë edhe 25 forca policie. Sipas kreut të policisë kufitare, Rezart Velmishti, nga kontrollet e kryera në një territor të gjerë janë gjetur të strehuara në zonën e Karaburunit tre gomone më përmasa mesatare dhe të pajisura me motorë. Nga kontrolli i ushtruar është konstatuar se personat që i përdornin gomonet ishin shtetas italianë. Verifikimet rezultuan se gjithçka ka qenë konform rregullave të autoriteteve italiane e në këto kushte policia ka gjobitur drejtuesit e gomoneve me nga 10, 000 lek për mos njoftim në kapiteneri që kanë hyrë në ujërat territoriale shqiptare dhe më pas janë lënë të lira.
Italianët janë justifikuar se janë strehuar aty nga frika e përkeqësimit të detit. Po gjithashtu gjatë kontrollit në det është verifikuar dhe dokumentacioni i disa varkave dhe mini gomoneve që kanë qënë duke peshkuar. Nga verifikimi ka rezultuar se një gomone e vogël pa motor (me vela ) nuk ka patur dokumentacion të rregullt dhe më pas është bllokuar nga policia. Gjatë kontrollit në breg të detit në zonën e Zvërnecit policia ka gjetur në disa shkurre një skaf të vogël pa motor, të cilin më pas e kanë sekuestruar së bashku me karelin. Policia po punon për të identifikuar pronarin e skafit të vogël. Tre gomonet janë mbajtur nën vëzhgim deri sa janë larguar, sepse ka pasur dyshime se mos gomonet mund të ishin aty për qëllime trafiku apo kontrabande. Deri në vjeljen e gjobave, ato kanë qenë nën vëzhgim.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›