E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kali i dasmave, rikthim i traditës gjirokastrite

"Dasmat gjirokastrite në kohërat e para bëheshin me kafshë, pasi krushqitë nuk bëheshin vetëm brenda në qytet, por edhe në fshatra dhe e merrnin nusen me kalë. Fëmijë kam qenë kur kam tërhequr kuajt, me të cilët kemi marrë dy nuset e dajove të mi.


Kujtoj që kafshët stoliseshin, por në mënyrë të veçantë kali i nuses ishte kryesori. Zgjidhej gjithmonë i bardhë dhe stolisej me rruaza, fre, yzengji e me çullë (velenxë) të kuqe. Në të hipte nusja, ndërsa dasmorët e tjerë vinin nga pas.


Dasma e tanishme është e bukur se ka brenda gëzimin, bukurinë e nuses, por nuk ka asgjë të veçantë",- tregon me nostalgji e njëkohësisht me dhembje Mërkuri.


GJIROKASTËR- Mendoi se rikthimi i një tradite të hershme të cilën e ruante në kujtesë prej gati 6 dekadash, do t'i jepte një tjetër shkëlqim ceremonialit të dasmës. Dhe, në fakt, kështu ndodhi. Shëtitja e nuses me kalin e bardhë, të zbukuruar si dikur, jo vetëm që u pëlqye, por nxiti dëshirën për t'u kthyer sërish në një rit edhe në dasma të tjera.

Ideja


Lindi si një ide e nxitur nga kujtimet e fëmijërisë, por shumë shpejt u kthye në pikën kulmore e që i shtoi hijeshinë jo vetëm nuses, por gjithë dasmës.


Në momentin e parë që i shkoi ndërmend ideja e zbukurimit të kalit të bardhë, ashtu siç e ruante në kujtesë qysh fëmijë dhe shëtitja në kala e nuses me të, Mërkur Mene nuk e konsideroi aspak si një element që do të pëlqehej veçanërisht. Bëhej fjalë për një ëndërr, siç e cilëson ai, të cilën dëshironte ta kthente në realitet.


Gjithsesi, me modestinë e tij, ishte i bindur se do të rikthente një element të vjetër apo një patriarkalizëm, por që çuditërisht i pëlqente.


Ishte java e dasmës së mbesës së tij dhe ishte momenti më i duhur për të realizuar një pjesëz të dasmës tradicionale gjirokastrite, për të cilën Mërkuri thotë me nostalgji se tashmë e ka humbur shkëlqimin dhe është e njëjtë me ato që realizohen kudo në Shqipëri.


"Dasmat gjirokastrite në kohërat e para bëheshin me kafshë, pasi krushqitë nuk bëheshin vetëm brenda në qytet, por edhe në fshatra dhe e merrnin nusen me kalë. Fëmijë kam qenë kur kam tërhequr kuajt, me të cilët kemi marrë dy nuset e dajove të mi. Kujtoj që kafshët stoliseshin, por në mënyrë të veçantë kali i nuses ishte kryesori.


Zgjidhej gjithmonë i bardhë dhe stolisej me rruaza, fre, yzengji e me çullë (velenxë) të kuqe. Në të hipte nusja, ndërsa dasmorët e tjerë vinin nga pas. Dasma e tanishme është e bukur se ka brenda gëzimin, bukurinë e nuses, por nuk ka asgjë të veçantë",- tregon me nostalgji e njëkohësisht me dhembje Mërkuri.


Bisedat për të kaluarën në familjen Mene ndalen shpesh në traditat e bukura, por të harruara. Përveç kënaqësisë së rikthimit të momenteve të së shkuarës, ato shërbenin shpesh për të risjellë në vëmendje pasurinë e të parëve.


"Rasti erdhi me dasmën e vajzës së vëllait tim dhe unë mendova, kushtet i kemi, traditën e kemi, pse të mos e bëjmë. Zbukurimet e kalit i kisha në shtëpi, të gjitha ato që përdorte dikur babai im. Më lindi ideja dhe e mendova gjithë natën.


Në mëngjes bisedova për këtë çështje me mbesën, nusen e ardhshme. Për çudi, ajo pranoi menjëherë. Po kështu edhe njerëzit e tjerë të familjes e pritën shumë mirë mendimin tim. Dhe kështu e rikthyem këtë traditë, të cilën e kishim humbur",- rrëfen më tej Mërkuri.

Takimi


Mërkur Menen e gjejmë në shtëpinë e tij në lagjen "Dunavat" të qytetit të Gjirokastrës. Gjëja e parë që të bie në sy në oborrin e banesës së tij janë një palë patkonj, që qëndrojnë të varur në mur.


Nuk janë thjesht aty për sjellje fati, siç përdoren rëndom, por janë patkonjtë që i mbath kalit të nuses. Gjithashtu, njëra pas tjetrës aty qëndrojnë edhe elementet e tjera të zbukurimit të kalit të nuses.


I emocionuar Mërkuri rrëfen se me sa pasion përgatiti kalin e bardhë ku do të hipte nusja. Kanë kaluar gati 6 dekada prej atëherë, por të gjitha detajet e këtij riti kaq të veçantë janë të ruajtura më së miri në kujtesën e tij, qysh kur ishte fëmijë vetëm 10-vjeçar e qëndronte vazhdimisht me të atin. Kishte ardhur momenti t'i përdorte. "E zbukurova vetë kalin, këtu te porta e shtëpisë.


Kam një gjerdan me karkale, që ishte i babait tim, që e përdorte edhe ai në dasma dikur, zengjitë ku vinte këmbën nusja, frerët, të gjitha të zbukuruara dhe çullën (velenxën) e kuqe.


Me kënaqësi të veçantë i bëra të gjitha ato që babai im bënte dikur dhe kali ishte gati. E morëm nusen me kalë, e çuam deri në kala dhe u kthyem përsëri në shtëpi",- shprehet Mërkuri.


Ai shprehet se veç traditës, ky element thuajse i panjohur për të rinjtë, të cilët vetëm e kishin dëgjuar që bëhej kështu, por për të parë nuk e kishin parë, solli një risi. "Të rinjtë nuk kishin parë ndonjëherë gjëra të tilla.


Kur u bë fakt, u mrekulluan nga kjo dhe e vlerësuan si momentin më të bukur të gjithë dasmës. Nipi tjetër, që martohet së shpejti më tha se dëshironte që nusen e tij me kalin e zbukuruar ta sillnin prej Qafës së Pazarit e deri në shtëpi", vijon më tej rrëfimin e tij Mërkuri.


Pas 60 vitesh, kjo traditë u rikthye sërish, duke ngjallur jo vetëm kënaqësi, por edhe kureshtje. Nëse dikur zbukurimi i kuajve të nuseve ishte një garë e hapur ndërmjet familjeve, këtë herë është shoqëruar me mjaft kërkesa për ta përdorur edhe në të tjera dasma. "Babai im ka qenë qiraxhi.


Është marrë gjithë jetën me kafshët dhe ishte ndër mjeshtrit e zbukurimit të kuajve të dasmës. Mbaj mend se kur vinte momenti për të bërë gati kuajt me të cilët do të merreshin nuset, i qëndroja gjithmonë afër.


E shikoja me kujdes sesi i bënte gati, si u vinte zbukurimet. I mbathte taze, vetëm një natë përpara dasmës, me qëllim që të kërcisnin patkonjtë e të ndihej që po shkonin të merrnin nusen e të mos rrëshkisnin kuajt.


Të gjitha këto i kam të mësuara nga babai dhe i vura prapë në jetë pas 60 vitesh. Në kohën e parë ka pasur konkurrim përsa i përket zbukurimit të kalit të nuses, veçanërisht kur ishin dy dasma në vende të afërta.


Ata që merreshin me këtë punë, përpiqeshin si e si ta zbukuronin sa më mirë, zgjidhej kali më i mirë, që të hingëllinte sa më shumë. Këto përbënin elementet dalluese ndërmjet dasmave",- tregon më tej Mërkuri, ndërsa është i lumtur që ka risjellë një detaj të traditës së vjetër gjirokastrite.


Ajo çka e bën të ndihet akoma më mirë, është mënyra sesi është pritur mendimi i tij, jo vetëm përpara realizimit, por edhe interesi i shfaqur edhe prej të njohurve për ta bërë atë pjesë të këtij ceremoniali gëzimi.


"Që në shenjat e para të dasmës sonë, mjaft të njohur këtu në lagje e miq e kanë pëlqyer shumë e madje kanë vendosur ta përdorin edhe ata. Kur shohin filmimet e dasmës, të gjithë kërkojnë të rikthejnë shëtitjen e nuses në kalldrëme dhe në kala me kalë.


Më gëzon shumë kjo gjë, se mendoj që do t'iu lëmë të rinjve një traditë që do ta trashëgojnë edhe në brezat e tjerë",- përfundon Mërkuri, i cili shprehet i gatshëm për të dhënë me kënaqësi ndihmën e tij në këtë aspekt prej çdokujt që do ta kërkojë atë.


Dasma tradicionale gjirokastrite vazhdon të ruhet me fanatizëm në kujtesën e të vjetërve si një krenari shpirtërore e paçmuar, por që vit pas viti po tjetërsohet me shpejtësi, duke ua lënë vendin elementeve moderne.


Dhjetëra elemente e rite të vjetra të saj janë harruar me kalimin e kohës, ndërsa herë pas here është dikush që i risjell në fokus.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›