E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Vlorës, ekzistenca në pikëpyetje

PROTESTA/ Zv.rektori Liçaj u tha studentëve se reformat në institucionin arsimor ishin të nevojshme për shpëtimin e tij

VLORË – Ekzistenca e Universitetit të Vlorës është në pikëpyetje dhe reformat shërbejnë pikërisht për t’i dhënë një shtysë për mirë këtij institucioni të arsimit të lartë. Ky mësohet të ketë qenë thelbi i kundërshtive nga ana e zv.rektorit të universitetit, Engjëll Liçaj, i cili zhvilloi dje një takim me përfaqësues të këshillit studentor, të cilët po protestojnë. Me gjithë tolerimet e kryera, mes dy palëve nuk është arritur në një marrëveshje për ndërprerjen e protestave dhe zhvillimit normal të mësimit.

Pikëpyetjet

Universiteti i Vlorës ka qenë në pikëpyetje deri për mbylljen e tij. Deklarata erdhi dje nga numri dy i këtij institucioni, i cili u bëri me dije studentëve se çdo përpjekje kryhet për ta shpëtuar universitetin. Akredituesit ndërkombëtarë pritet të kalojnë këtë vit në shqyrtim gjithë infrastrukturën në Vlorë. “Një vit më parë, Universiteti i Vlorës u vu në pikëpyetje dhe ne si staf akademik po bëjmë gjithë përpjekjet për rritjen e cilësisë së tij, për çka kemi nisur edhe reformat”,- tha Liçaj. Sinjali për vënien në pikëpyetje të universiteti erdhi disa kohë më parë edhe nga vetë numri një, Tanush Shaskaj. Gjatë debateve për ndërrimin e emrit të universitetit, Shaskaj e përfundoi fjalimin e tij me fjalët: “Kujdes! Këtë herë po debatohet emri, por Universiteti i Vlorës ka shumë më tepër probleme, deri në diskutimin për ekzistencën e tij. Gjithsesi, më shumë se reformat që po aplikon universiteti, të cilat janë quajtur ndër shpëtimtaret, agjencitë e huaja shumë më tepër se niveli i studentëve, ka gjasa të studiojnë nivelin e ambienteve apo edhe pedagogëve. Sot është fakt se ndër mësimdhënësit në auditore janë edhe seminaristë që sapo kanë përfunduar trevjeçarin, të cilët çuditërisht nuk japin mësim vetëm te sistemi trevjeçar, por edhe në nivele më të larta”.

Takimi

Përfaqësues të këshillit studentor zhvilluan dje një takim me zv.rektorin e Universitetit të Vlorës, Engjëll Liçaj, dhe përfaqësues të tjerë të stafit akademik. Përfaqësuesi i studentëve, Viktor Lagji, i njohu bashkëbiseduesit me kërkesat, duke marrë në vend përgjigje për çdo pikë nga numri dy i rektoratit. Në takim u ra dakord ndryshimi i orarit, si dhe mosbërja mësim ditëve të shtuna, siç parashikonte rregullorja e re. Ndërkaq, Liçaj rrëzoi kategorisht kërkesën e studentëve për t’i bërë leksionet fakultative. Qëndrimet në këtë pikë qenë të prera nga dy përfaqësuesit, duke bërë që studentët të lënë në fuqi protestat. Ata kërkuan me ngulm që mësimi të zhvillohet bazuar në rregullat e mëparshme. Këmbëngulja e studentëve dhe kundërshtia e hapur e rregullores së Universitetit të Vlorës e shtyu zv.rektorin të aludojë se studentët janë të nxitur nga pedagogë të brendshëm, që kanë interesa për të nxitur konflikte. Por një aludim i tillë vetëm sa i dha një goditje bisedimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›