Motoçikletat kthehen në burim aksidentesh
LEZHË - Motoçikletat janë kthyer në burim aksidentesh. Vetëm gjatë ditës së djeshme 3 persona kanë mbetur të plagosur dhe ndodhen në Spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë. Aksidenti i parë ndodhirreth orës 10:00 në superstradën Lezhë – Fushë-Krujë, ku si pasojë e përplasjes së një kamionçine me targa TR 7310 J, që drejtohej nga shtetasi Petrit Mesi, 31 vjeç, dhe një motoçiklete që drejtohej nga 50-vjeçari Ylli Kuqi, mbetën të plagosur drejtuesi i motoçikletes dhe pasagjeri i tij, 41-vjeçari Muharrem Dika. Dy të plagosurit ishin nga qyteti i Fushë-Krujës. Sipas policisë, shkak i këtij aksidenti ishte ndërprerja e rrugës në mënyrë të menjëhershme nga mjeti motoçikletë. Po dje, rreth orës 13:00 në superstradën Lezhë-Shkodër, në afërsi të fshatit Balldre, një mjet traktor që drejtohej nga 63-vjeçari Jak Pema përplasi një motoçikletë që drejtohej nga shtetasi Gjin Zefi nga fshati Balldre i Lezhës. Si pasojë e këtij aksidenti mbeti i plagosur rëndë 50-vjeçari Zefi, i cili ndodhet në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Edhe në këtë rast ndërprerja e rrugës në mënyrë të menjëhershme nga drejtuesi i motoçikletës u cilësua si shkak i këtij aksidenti. Vetëm gjatë javës që lamë pas në aksin rrugor të superstradës Lezhë – Fushë-Krujë u shënuan 4 aksidente ku ishin të përfshirë motoçikletat. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë kthyer në burimin kryesor të aksidenteve, kjo pasi nuk i respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.